Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Beqiroviq pret në takim Kurtin në Presidencën e BeH: Nuk lejojmë askënd të na mësojë se me kë të takohemi

 
   

Anëtari i Presidencës së BeH-së, Denis Beqiroviq, është takuar sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Gjatë takimit u tha se të gjithë në Ballkanin Perëndimor duhet të punojnë në forcimin e bashkëpunimit rajonal, paqes, stabilitetit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Në fillim të bisedës, Beqiroviq theksoi se disa politikanë nga Bosnja dhe Hercegovina, entitetet e Republikës Sërpska duhet të ndalen me propagandë.

“Sot nuk diskutohet për njohjen e Kosovës, sepse është e qartë për të gjithë se një vendim i tillë kërkon konsensus në Presidencën e BeH. Njerëzit përgjegjës duhet të insistojnë gjithmonë në respektimin e parimeve të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, por edhe diskutime konstruktive për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga procesi i Berlinit. Ne nuk do ta lejojmë askënd të mendojë se mund të disiplinojë liderët e shtetit të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe të përcaktojë me kë, ku dhe kur mund të flasin, këtë le ta harrojnë përgjithmonë”, tha Beqiroviq.

Së bashku u theksua rëndësia e vendimit të Kosovës që nga 1 janari 2025, me rastin e 10-vjetorit të Procesit të Berlinit, qytetarëve të Bosnjë-Hercegovinës t’u lejojë lëvizjen e lirë.

Beqiroviq theksoi rëndësinë e zbatimit të të gjitha detyrimeve që dalin nga procesi i Berlinit.

Beqiroviq po ashtu nënvizoi faktin se Serbia, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë ratifikuar të gjitha marrëveshjet për liberalizimin e lëvizjes në rajon. Fatkeqësisht qytetarët e Kosovës, për shkak të bllokadave të paarsyeshme nga Bosnja dhe Hercegovina nuk mund ta kenë ende lëvizjen e lirë me këtë shtet, gjë që është shkelje e marrëveshjeve të nënshkruara të Procesit të Berlinit”, shtoi ai.

Beqiroviq ka kujtuar se ish-kryetari i Presidencës së BeH-së, Milorad Dodik, atë kohë i ka dërguar një ftesë zyrtare presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për të ardhur në samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në Sarajevë.

“Kjo ishte një lëvizje e mirë nga Dodik dhe kjo është arsyeja pse ai nuk duhet të udhëheqë një politikë të diskontuitetit”,  tha ai.

Kurti sot u prit në takim edhe nga anëtari tjetër i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Zhelko Komshiq.

Edhe Komshiq foli edhe për kërcënimet e Dodikut lidhur me vizitën dhe takimet e Kurtit në Bosnje dhe Hercegovinë, duke kujtuar se Republika Sërpska nuk është subjekt i së drejtës ndërkombëtare dhe se RS nuk është kompetent për lëshimin e vizave të hyrjes në BeH, si dhe se anëtarët e Presidencës së BeH sigurisht nuk do ta pyesin Dodikun apo dikë tjetër me kë do të takohen dhe çfarë do të diskutojnë.