Avokati Besnik Berisha, e ka quajtur arbitrar dhe skandaloz arrestimin e tij që u bë ditë më parë, nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Ushtrimi i ndikimit”, “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave” dhe “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”.
Ai ka akuzuar prokurorin e shtetit Rasim Maloku se e ka arrestuar duke manipuluar provat, sipas tij për shkak të kritikave ndaj pushtetit dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Megjithatë, avokati Berisha nuk paraqiti prova për këto pretendime të tij, pasi tha se fillimisht do të pres padinë e paralajmëruar nga ana e ministres Haxhiu ndaj tij.
“Besnik Berisha nuk ka kryer asnjë krim. Besnik Berisha është sanksionuar për një emision televiziv që e ka goditur pushtetin për një skandal që e keni dëgjuar edhe vet. Është një betejë e pushtetit që mundohet të maskojë embargon që është duke përjetuar dhe që unë e kam denoncuar. Kjo ka parapri të nesërmen me një marrje të një urdhërese të një bastisje të njërës nga pronat e mija. Ku filloi kundërligjshmëria, e para prokurori i çështjesh me epitetet që unë i kam dhënë nuk ka pasur të drejtë të urdhëroj arrestimin tim, pasi veprimin që ai më pandeh mua padrejtësisht dhe kundërligjshëm, janë detyrat e mia të avokatit”, tha ai në konferencë për medie të mërkurën.
Ai paraqiti edhe kërcënimet që ia ka bërë prokurorit Maloku, por sipas tij të njëjtat do të jenë vetëm në kuadrin e veprimeve ligjore.
Siç thotë ai nuk ka asnjë provë që dëshmon se ka pranuar 20 mijë euro nga disa klientë të tij për ushtrim të ndikimit.
“Prokurorin e kam kërcënuar në çdo formë dhe mënyrë. Por ia kam bërë me dije se kërcënimet e mia janë se unë do të marrë veprime të ligjshme. Unë nuk jam ai që merrem me ty se t’i nuk meriton të merrem me ty. Madje i kam thënë se pse i harxhon para publikut për mbrojtje të afërt, pasi juve nuk iu prek askush. Për sigurinë tonë juridike 120 deputetë të Kuvendit kanë votuar Kushtetutën dhe ligjin, s’kemi nevojë të marrim drejtësinë në duar tona. Por kemi nevojë që mos të heshtim dhe të shpërfaqim arbitraritetin kurdo dhe ndaj kujtdo. Ky prokuror meqenëse asnjë nga pyetjet nuk arrita të kuptoj pse unë jam privuar nga liria, përveç se a e njeh personin x apo y. Unë e kuptova se unë jam para tij për shkak të urdhrit, inateve personale dhe bindjeve të mija dhe kritikave publike ndaj ministres dhe vet prokurorinë… Rasim Maloku është i shantazhuar çdo ditë dhe ju e dini sa urdhëresa i ka nxjerrë për disa njerëz, që më pas është detyruar t’i shfuqizojë ato. Ky është edhe shantazhues, i kam treguar edhe arsyet, mos mendoni që po tërhiqem”, shtoi ai.
Avokati Berisha e denoncoi prokurorin Rasim Maloku për abuzim me detyrën zyrtare, derisa i bëri thirrje kryeprokurorit të shtetit, Besim Kelmendi që të arrestojë prokurorin Maloku ose atë për deklarim të rrejshëm.
“Kjo është ftesë publike e kryeprokurorit të shtetit ose të më arrestojë mua prapë për lajmërim të rrejshëm. Pasi unë po bëjë lajmërim se Rasim Maloku ka kryer krim, ose të arrestojë Rasimin për abuzim me detyrën e tij”, theksoi Berisha.
I pyetur nga gazetarët, avokati Berisha, foli edhe për deklarimin e ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu se do të ushtrojë padi ndaj tij për shpifje dhe fyerje.
“Unë kam prova që ky i përkëdhelur (Rasim Maloku) i pushtetit në prezencën e shumë figurave të shquara të drejtësisë është rrah krahëve dhe është marrë si një prokuror që ka një mandat për të arrestuar njerëz, përfshirë edhe figurën time. Tash ministrja Haxhiu ka paralajmëruar padi, nuk e di a ka për shkak të shpifjes apo fyerjes. Nëse ajo e konsideron fyerje që unë e quaj të padijshme, ajo nuk din asgjë. Nuk merr vesh në drejtësi”, tha ai.
Ndërkaq, nënvizoi se ai vazhdon të jetë në Lidhjen Demokratike të Kosovës, përkundër thirrjeve nga zyrtari i lartë i PDK-së, Sami Lushtaku për t’iu bashkuar kësaj partie.
“Partia ime është LDK-ja. Unë jam në LDK dhe kam kryer shërbime si këshilltar i ish kryeministrit dhe vazhdoj të kryej edhe sot. Jam anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, kam pas oferta nga kryetari aktual për t’iu bashkangjitur në hierarkinë e partisë, por për shkak se jam i “martuar” me profesionin tim të avokatit, partia mbetet LDK-ja, profesioni mbetet avokati”, përfundoi ai.
Avokati Berisha është liruar me datën 16 korrik me vendim të Gjykatës, pas arrestimit të tij për dyshimet se ka kryer veprën penale ushtrim të ndikimit.