Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Berisha: Qëndrimi i Macron për vizat, është alarm për Kosovën

 
   

Ish zëvendës ministri i Jashtëm i Kosovës, Anton Berisha, ka thënë se qëndrimi i presidentit francez, Emmanel Macron, për pezullimin e heqjes së vizave, është alarm për Kosovën.

Berisha ka thënë se Franca ka ndikim në vendimet e BE-së, pasi mund të iniciojë procedurën e pezullimit të vizave për Kosovën.

“Nuk ka rëndësi, po e përsëris, nuk ka rëndësi çështja e procedurave, sepse në flasim për procedura, ato nuk janë procedura të Kosovës, por të Bashkimit Europian. Kosova nuk ka asnjë ndikim në ato procedura, por Franca ka ndikim. Franca, duke qenë ndër shtetet kryesore, ajo mund të iniciojë procedurën e pezullimit të vizave, dhe pastaj, Franca me ndikimin e saj, mund ta çojë deri në fund të saj, mund ta çojë deri në fund atë iniciativë”, ka deklaruar ai.

“Unë them, vet fakti që qëndrimi i presidentit Macron ndaj politikës kosovare është i tillë, është alarm për Kosovën dhe për të gjithë ata që Kosovën e duan pjesë të familjes evropiane. Ti nuk mund t’i hysh në shtëpi dikujt dhe të bëhesh pjesë e asaj shtëpie, nuk pranohesh. Ky është mesazhi kryesor”.

“Çështja e vizave është një teknikalitet, një procedurë, e cila është paraprakisht çështje e vullnetit e atyre që e kanë sajuar atë procedurë dhe i kanë lënë hapësirë vetes për të ndërhyrë në raste të caktuara”, theksoi ai.

Deklarata e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron lidhur me pezullimin e mundshëm të liberalizimit të vizave për Kosovën, ka ngjallur reagime dhe paqartësi në Kosovë.

Nga Ambasada e Francës në Kosovë kanë thënë se po presin “zbardhjen” e deklaratës së Macronit.

Nexhmi Musliu, zyrtar për media pranë ambasadës franceze në Kosovë tha se po presin sqarime që të saktësohet gjithçka nga ana e përkthimit.

“Po presim sqarime të saktësohet gjithçka nga ana e përkthimit, e nëse del ashtu ajo është deklarata autentike e Presidentit të Francës dhe ne nuk e komentojmë”, tha Musliu.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, gjatë qëndrimit në Tiranë ka ripërsëritur deklaratën për rishikimin e procesit të vizave për Kosovën.

“Presim nga autoritetet serbe e kosovare për riorganizim të zgjedhjeve, pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje, njohjen e asociacionit plotësisht dhe totalisht. Pres që Vuçiqi të jetë përgjegjës dhe pres të njëjtën gjë nga presidentja dhe kryeministri kosovar. E them me qartësi ju kemi besuar për vizat, çështja është pezulluar nga ana e Francës sepse ka të bëjë me respekt për fjalën e dhënë dhe fjala nuk po mbahet. Pres që palët të ecin përpara dhe është kushti i paqes në të gjithë zonën”, ka thënë sot Macroni.

Agjencia franceze e lajmeve, AFP, lidhur me deklaratën e Macronit në Tiranë për vizat, tha se me këtë “ai e ka kërcënuar Kosovën me zhbërjen e vendimit të vizave”.

Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.

Macron foli për vizat në Tiranë duke e ndërlidhur situatën politike mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë konferencës për media në Shqipëri, ai tha se ka ndjekur rritjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë dhe kërkoi që të dyja palët të ndërmarrin hapa për të shtensionuar situatën.

Kosova – sikurse edhe vendet e tjera që gëzojnë lëvizje të lirë – do të jetë nën llupën e BE-së. Blloku ka mekanizma ndëshkues nëse vëren që qytetarët e një vendi joanëtar keqpërdorin lëvizjen pa viza. Më 16 maj, Komisioni Evropian tha se Serbia po e rrezikon këtë regjim, për shkak të lehtësimit të procedurave për dhënien e shtetësisë të të huajve. Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën është marrë tashmë në instancat më të larta të BE-së, por pritet të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit të ardhshëm.