Zafir Berisha nga Nisma Socialdemokrate e ka cilësuar si të panevojshëm tensionimin e situatës në veri të vendit nga Qeveria Kurti të cilin ai e quajti regjim.
I ftuar në emisionin “Info Nata”, ish–deputeti i Parlamentit të Kosovës, tha se vetëm në sistemet diktatoriale njerëzit sillen në mënyrën siç po sillet kryeministri Kurti.
“Tensioni që është ngritur pa nevojë rezulatat i papërgjegjësisë së regjimit mendoj, se e ka pru situatën që sikur një fije shkrepsë me u hudhë me një fuqi benzini. Unë nuk mund ta quaj ndryshe për faktin se vetëm diktaturat që i di njerëzimi sillen në këtë formë siç po sillet Albini me adoleshentët politikë që i ka rreth vetës, në kohën kur gazetarët ta zëmë po rikthehem prap janë të atakuar, të kërcënuar, do me thënë edhe të sulmuar në veri të vendit. Ai sulmon mediat edhe në Prishtinë, me idenë që domethënë mendimi ndryshe dhe zëri kritik mos me qenë në nivelin që është”, tha ai.
Berisha përmendi disa prej faktorëve pse ai e cilësoi qeverisjen Kurti si regjim.
“Janë shumë faktorë pse unë e quaj regjim, përndryshe sjelljet, veprimet, në raport me individët e caktuar brenda institucioneve, tendenca për me fshi memorien institucionale 20 vjeçare që është e instaluar nëpër dikastere të ndryshme të institucioneve dhe institucione të pavarura me emërime të militantëve primitivë. Vetëm ta marrim atë që dje ishte në media që për shembull në Telekomin e Kosovës gjithë dikasterët janë me ushtrues detyre”, shtoi ai.