Kryeministrja serbe Ana Bërnabiq ka reaguar pas përleshjeve në Kuvendin e Kosovës, duke shtuar se ajo frikësohet se incidenti mund të rezultojë në një politikë edhe më radikale të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti ndaj serbëve në Kosovë.
Bërnabiq tha në emisionin “Hit Tweet” në TV Pink se kjo ngjarje do të shkaktojë edhe më tej destabilitet.
“Kurti nuk është i interesuar të bëjë ndonjë gjë konkrete, është ideologji, mbledhja e pikëve politike për retorikën e luftës, kam frikë se kjo ndodh, sado që dikush pëlqen t’i shohë ato skena, do të rezultojë në politikë edhe më radikale, është sa shumë dëshiron të tolerojë Perëndimi”, tha Bërnabiq.
Ajo bëri të ditur se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, këtë javë do të shkojë në Bruksel dhe se do të vazhdojë luftën për ruajtjen e paqes.
Tutje Bërnabiq ka deklaruar se nuk beson në planin e Kurtit për deeskalim të situatës në veri të Kosovës.
Ajo shprehet se do të dëshironte të kishte dikë me të cilin mund të fliste dhe të dialogonte realisht.
“Kur keni një dialog të vërtetë, sado i vështirë, i pakëndshëm dhe i tmerrshëm që të ishte, ju përsëri keni njëfarë stabiliteti dhe parashikueshmërie për njerëzit që jetojnë në Kosovë. Deri më tani nuk kam parë te Kurti që ai dëshiron deeskalim dhe kam frikë se humbja e besueshmërisë së tij politike do ta detyrojë atë të sulmojë sërish serbët”, shton Bërnabiq.
Ajo shprehet se në qendrat perëndimore të pushtetit kanë shumë mirëkuptim ndaj Kurtit, gjë që për të është e pakuptueshme.
“Vuçiq arrin ta zbusë situatën, më parë ishte e paimagjinueshme që Kosova të kishte sanksione nga SHBA-ja apo BE-ja, tani ka ndodhur. Ishte një situatë e paimagjinueshme, por politika e mençur dhe durimi i pakufi i serbëve nga Kosova çoi në të. Nga ana tjetër, duhet të jeni gati në çdo moment që t’i mbroni fizikisht serbët në Kosovë. Një ‘stuhi’ e re nuk do të ndodhë”, theksoi Bërnabiq.