Dashamir Bërxulli, dekan në Fakultetin Filozofik, ka folur në emisionin Rubikon mbi dukurinë e diskriminimit në shoqërinë shqiptare.
Sipas tij, shqiptarët për dallim nga disa popuj tjerë historikisht nuk kanë ndërtuar projekte politike mbi bazë diskriminimi.
“Krahasimisht me disa popuj të tjerë që janë edhe në Ballkan, të cilët kanë pasur agjenda diskriminuese me qëllim politik, shqiptarët përgjithësisht këtë nuk e kanë pasur, historikisht shqiptarët nuk kanë ndërtuar projekt politik kombëtar mbi bazë diskriminimi të një populli tjetër për të përfituar vet, ose qoftë edhe për të arritur madje edhe të drejtat e tyre natyrale”, tha Bërxulli.
Duke folur mbi atë se sa janë shqiptarët diskriminues, psikologu Bërxulli tha se është e vështirë që një popull kaq i diskriminuar të mos i diskriminoj të tjerët.
“Është e vështirë të themi që një popull që është kaq shumë i vuajtur të mos ricikloj vuajtjen, diskriminimin që ka përjetuar me ua kthyer të tjerëve.
Qartësisht brenda grupeve të shoqërisë edhe më herët, edhe kur kemi qenë nën pushtim le të themi, në komunizëm ose kudo në historinë tonë, qartësisht grupet brenda shoqërisë sonë kanë qenë diskriminuese ndaj njëra-tjetrës gjë që ka shkuar te individi, këtu ka shifra të punësimit të grave, të romëve, të grupeve të caktuara të margjinalizuara në shoqëri, të cilat mund të jenë indikatorë të mjaftueshëm për të parë se sa është diskriminimi në nivel agregat.
Në nivel individual kjo matet fillimisht ndoshta me sa të hapur dhe të durueshëm jemi ne ndaj-tjetrit që nuk është si ne, që paraqet karakteristika të tjera, pra ndaj asaj që është diversive”, tha Bërxulli.