Kërkesa e Kosovës për blerjen e sistemeve raketore anti-tank Javeline bëri jehonë në vend e jashtë kufijve të shtetit.
Paralelisht pati kumbime në skenën politike për meritat e arritjes së marrëveshjes për këtë blerje.
Së pari partia në pushtet e konsideroj sukses të vetin.
Por disa ish-krerë të institucioneve po thonë se negocimi për blerjen e armëve të tilla kishte nisur para disa viteve.
Kështu aleanca për Ardhmërinë e Kosovës publikoi një kërkesë që ish-kryeministri, Ramush Haradinaj ia kishte bërë Shteteve të Bashkuara për blerjen e armëve, ku ndër to ishin edhe Javelinët.
Edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, deklaroi se edhe në kohën e tij ishte folur për këto sisteme raketore dhe se kjo ishte pjesë e planit të tranzicionit të FSK-së.
Por luftën për merita për këtë çështje, po e sheh si të dëmshme profesori universitar, Dritëro Arifi.
Sipas tij, gjithë këto deklarime po bëhen vetëm për shkak të konsumit politik të brendshëm.
Edhe ish-zv.ministri i Punëve të Brendshme, thotë se janë të kuptueshme deklaratat e njëanshme politike mbi këto veprime.
Teksa shton se e rëndësishme është që ushtria e Kosovës po shkon drejt hapave për anëtarësim edhe në mekanizma ndërkombëtarë.
Buxheti për vitin 2024 për ushtrinë është më i larti ndonjëherë, që kap vlerën e 153 milionë eurove, ku parashihet edhe blerja e armatimeve tjera të sofistikuara.