Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, është takuar në Shtëpinë e Bardhë me kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, me të cilën kanë vlerësuar marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për shtensionimin e situatës në veri.
Sipas një deklarate për media, të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, Bideni dhe Meloni kanë riafirmuar angazhimin që Ballkani Perëndimor të ketë siguri, stabilitet dhe prosperitet.
“Shtetet e Bashkuara dhe Italia riafirmojnë angazhimin e tyre të përbashkët për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen e tyre të gjatë për integrimin euroatlantik të rajonit. Ata vendosën të përforcojnë koordinimin për të favorizuar shtensionimin dhe pajtimin dhe pranuan rolin vendimtar të QUINT-it. Shtetet e Bashkuara mirëpresin angazhimin e qeverisë italiane në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë kontributin e forcave të armatosura italiane në misionet e KFOR-it, EULEX-it dhe EUFOR-it Althea”, thuhet në deklaratën e tyre.
Serbët kundërshtuan, dhe turma të tyre sulmuan pjesëtarët e KFOR-it, ata të Policisë si dhe ekipet shqiptare të mediave.
BE-ja dhe SHBA-ja kërkuan që Kosova të tërheq pa vonesë policët nga dhe përreth objekteve komunale e edhe që kryetarët e rinj ta ushtrojnë mandatin jashtë ndërtesave komunale.
Komuna e Leposaviqit, Zveçanit, Mitrovicës së Veriut e Zubin Potokut, që nga maji janë duke u drejtuar nga kryetarë shqiptarë e boshnjak. Ai i Leposaviqit dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, e të cilët i takojnë Vetëvendosjes, janë duke e ushtruar detyrën në zyrat komunale, përkundër protestave të vazhdueshme të serbëve.
Pas protestave të dhunshme në veri, një numër serbësh janë arrestuar. Por, prej kur Kosova dhe BE-ja janë dakorduar për hapat fillestarë drejt shtensionimit të situatës, gjykatat kanë lënë të lirë disa prej të arrestuarve.