Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Bisedimet e pafrytshme në Bruksel/ Analistët: Ndërmjetësuesit dështuan në misionin e tyre, kërkohet ndërhyrja e Gjermanisë dhe Francës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan të enjten në Bruksel me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Mirëpo edhe ky takim u përmbyll pa ndonjë pajtim mes palëve, duke pamundësuar normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Njohësit e zhvillimeve politike, thonë se nuk kanë pritur që nga ky takim të ketë marrëveshje konkrete.

Rraci: Duhet angazhim i diplomacisë gjermane dhe Franceze

Për analistin politik, Gazmir Raci, mosdakordimi për zbatim të planit franko-gjerman dhe aneksit të Ohrit është dështim edhe i ndërmjetësve.

Image
Gazmir Raci

Sipas tij, ata nuk kanë arritur t’i ofrojnë qëndrimet e dy palëve, pra Kosovës e Serbisë.

“Unë nuk kam pritur që në takim ka me pas marrëveshje sepse marrëveshjet janë mbërri më herët. Në takimin e fundit nuk u dakorduan për zbatim të planit franko-gjerman dhe aneksit të Ohrit që është dështim po ashtu edhe i ndërmjetësve, ata nuk kanë arritur me i ofrua qëndrimet e të dy palëve, tash kemi një situatë të re ku kemi disa propozime të reja në tavolinë se si të zbatohet plani franko-gjerman. Duhet angazhim i diplomacisë gjermane dhe Franceze për me i ofrua qëndrimet e dy palëve”, deklaron Raci për “Bota sot”.

Si të veprohet nëse vazhdon njëanshmëria e ndërmbëtarëve

Ndërkaq, analisti politik Gani Qarri, thotë se përkundër dakordimit, deri tani vetëm Kosova ka zbatuar marrëveshjet me Serbinë.

Sipas tij, Serbia kërkon vetëm krijimin e “zajednicës”, pa zbatuar asnjë pjesë të marrëveshjes, për të cilën vet Vuçiqi, ka dhënë dakordimin në Bruksel dhe Ohër.

“Në fakt edhe marrëveshjen e 27 shkurtit të këtij viti në Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, ishte Serbia, ajo që refuzoi ta nënshkruante, ndaj për t`iu përshtatur hegjemonizmit serbomadh, ndërmjetësuesit e BE-së, pranuan që ta “miratonin” atë si marrëveshje të “dakorduar”, dokumenti i të cilës u përkufizua në 11 nene, ndërsa pas një diskutimi maratonik prej më tepër se 12-orëve mes palëve dialoguese, në takimin e Ohrit, të mbajtur më 18 mars, iu bashkëngjit edhe aneksi i zbatimit. Por përkundër dakordimit edhe nga Vuçiqi, deri më tani, vetëm Kosova përveç gatishmërisë për nënshkrimin e saj, ka zbatuar edhe pjesë të rëndësishme të marrëveshjes, kurse Serbia kërkon vetëm krijimin e “zajednicës” kundërkushtetuese një etnike serbe me kompetenca ekzekutive, pa zbatuar asnjë pjesë të marrëveshjes, për të cilën vet Vuçiqi, ka dhënë dakordimin në Bruksel dhe Ohër, por përkundër të gjithave nuk merr jo vetëm ndëshkim nga BE, por as kritika sado të buta qofshin ato, të paktën nga SHBA dhe aleatët tjerë perëndimor. Dhe megjithëse “asociacioni” është vetëm një nga pikat, por assesi pika e parë e marrëveshjes, çuditërisht kërkesës së Serbisë për formimin e “zajednicës” si pika e parë, iu bashkuan edhe ndërmjetësit pro serb të BE-së Josep Borel e Mirosllav Lajçak e sikur mos të mjaftonte e gjithë kjo katrahurë kundër shtetit të Kosovës, edhe kryekomandanti i dorëzimit të Kullës, Belluhës, Zhlebit, e Çakorrit, në këmbim të karriges së kryeministrit për disa muaj, doli publikisht me kërkesën ndaj kryeministrit Kurti për formimin e “zajednicës” kundërkushtetuese serbe, ose rrëzimin e Kryeministrit Kurti, nga pushteti, vetëm pse ai po lufton për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe konstruktivitetin e brendshëm dhe vazhdimësinë e kontinuitetit të shtetit të Kosovës”, deklaron ai.

Image
Gani Qarri

Tutje ai thotë se Bashkimi Evropian duhet të ketë trajtim të barabartë të Kosovës me Serbinë.

Derisa thekson, se Vuçiq i trimëruar nga qëndrimi i ShBA-ve dhe BE-së po vendos sërish kushte në dialog.

“E trimëruar nga ky qëndrim i çuditshëm i BE-së, SHBA-ve dhe vendeve perëndimore, Vuçiq ka marrë sërish guximin që të vendos edhe kushte në dialog, duke këmbëngul, që nga pika e 9, ku është përmendur formimi i asociacionit, të kalojë në pikën e parë të zbatimit, për bosnjëzimin real të Kosovës, me qëllim të krijimit të kushteve edhe me dokumente ndërkombëtare për bazimin e pretendimeve territoriale të Serbisë, ndaj veriut dhe pjesëve më vitale si resurset ujore të Ujmanit dhe pasurit xehtare të Trepçës, në vendin tonë, kështu që edhe ishte e pritshme, se marrëveshje kaq të njëanshme, 100% pretenduese dhe neveritëse, për shkatërrimin e shtetit të Kosovës, me Qeverinë aktuale, nuk mund të arriheshin. Kështu që, nëse vërtetë nuk vendoset urgjentisht trajtimi i barabartë i Kosovës me Serbinë nga BE, nuk zhvillohet ndërmjetësim i paanshëm, nga përfaqësuesit e lartë të BE-së dhe opozita pro-serbe, me degët e saj mediatike e sociale të paguara majm, tash e sa vite nga Serbia, vazhdon të propagandoj dhe angazhohet kaq fuqishëm, në destabilizimin e vendit, për detyrimin e Kryeministri Kurti, që ta formojë “zajednicën” kundër kushtetuese një etnike serbe dhe t’i bëjë koncesione territoriale edhe Serbisë fashiste, siç i falën ata tokat e Kosovës, FYROM-it dhe Malit të Zi, Qeveria Kurti duhet, që një orë e më parë, ti shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë”, deklaron ai për “Bota sot”.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha në një konferencë për media, më 15 shtator, se “dialogu nuk ka dështuar”, por se takimi i fundit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i zhvilluar një ditë më parë në Bruksel, “nuk ka dhënë rezultate”.

“Palët nuk janë në gjendje të tejkalojnë dallimet e tyre”, përfundoi Stano, duke theksuar se BE-ja është vetëm ndërmjetëse në dialog, dhe se përparimi në këtë proces varet nga Kosova dhe Serbia.

Në Aneksin për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy palëve, ndër të tjera shkruhet se Kosova dhe Serbia do të përballen me pasoja, nëse nuk i përmbushin obligimet që dalin nga ujdia.

Këtë e ka konfirmuar edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, i cili tha më 14 shtator se “pa normalizim nuk do të ketë të ardhme evropiane as për Kosovën, as për Serbinë”.

Për kryeministrin e Kosovës, hapat e ardhshëm janë vazhdimi i bisedimeve për zbatimin e marrëveshjes në mënyrë “të sekuencuar”, përkatësisht, që të zbatohen pikat e marrëveshjes ashtu siç janë radhitur në Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve.

Kurti ka pohuar disa herë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk mund të jetë “parakusht” për zbatimin e marrëveshjes dhe se çështja duhet të zgjidhet në kuadër të dhjetë pikave të Marrëveshjes bazë, të cilat të dyja palët i kanë pranuar në fund të shkurtit, me propozimin e BE-së.

“Për një gjë të tillë duhen negociata intensive, të cilat duhet të organizohen nga ndërmjetësit [BE-ja]. Shpresoj se së shpejti do të na ftojnë [në një rund të ri të dialogut]”, tha Kurti më 14 shtator.

Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë, pas takimit të fundit në Bruksel, tha se nuk e di se cilat janë hapat e ardhshëm, por se “do të duhet gjithmonë të bisedojmë”.

“Nuk besoj që ky është fundi i botës. Jam i sigurt se do të dëgjojmë se kush është përgjegjës, është diçka që, thjeshtë, duhet të ndodhë. Por ajo që është e rëndësishme për ne, është se jam i sigurt se duhet të vazhdojmë bisedimet”, tha Vuçiq.

Ndryshe, normalizimi i marrëdhënieve është kusht për Kosovën dhe Serbinë që të përparojnë në procesin e integrimit në Bashkimi Evropian.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE vitin e kaluar, ndërsa Serbia është vend kandidat nga viti 2012.