Për rajonin, por edhe për Serbinë, me gjasë nuk ka lajme të mira.
Kështu vlerësoi kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, duke komentuar përbërjen e qeverisë së re në Serbi.
Në një intervistë, Biserko tha se trendi autoritativ në Serbi po vazhdon edhe duke forcuar lidhjet me Hungarinë, Kinën dhe Rusinë.
Sipas saj, sfidë e vetme për qeverinë mund të jetë ndihma e paralajmëruar e BE-së në vlerë prej 6 miliardë eurosh, si mbështetje për reformat në Ballkanin Perëndimor.
Kjo për Serbinë është shumë e rëndësishme, meqë jeton kryesisht nga mbështetja e Unionit.
Por, ajo thotë se mund të ndodhë në instancë të fundit edhe aplikimi i vizave dhe eventualisht ndërprerja e investimeve.
Duke i dhënë këto vlerësime, Biserko thotë se Serbia në këtë aspekt ka gëzuar mbështetjen më të fuqishme në rajon.
“Nuk ka momente të reja dhe në një mënyrë, siç shihet tash, mund të thuhet se Serbia po shkon drejt një izolimi. Pyetja është se si do të sillet tash perëndimi. Ata kanë ashpërsuar qëndrimin ndaj Serbisë, veçmas pas Banjskës dhe po përpiqen të pengojnë çfarëdo eskalimi, duke pasur parasysh potencialin e dëshmuar në rastin Banjska. Është risi se ministër i Jashtëm është Marko Gjuriq, ambasador i deritashëm në Amerikë. Ai njihet si njeri i dëgjueshëm i Aleksandar Vuçiqit. A do të jetë në pozitën e re më i pavarur dhe kreativ dhe a do të ketë ndonjë qëndrim të veçantë karshi perëndimit, është pyetje. Kjo pasi që angazhimet dhe eksponimet e tij të deritashme kanë qenë kryesisht në funksion të Vuçiqit”, tha ajo.