
Bashkimi Europian ka dalë me një njoftim për takimin e radhës të dialogut në Bruksel. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se nesër emisari Miroslav Lajçak, do të presë palët dhe se fokusi i bisedës do të jetë zbatimi i marrëveshjes dhe shtensionimi i situatës.
“Nesër, Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak do të presë kryenegociatorët e të dyja palëve në kuadër të dialogut të lehtësuar në Bruksel. Në fokus do të jetë zbatimi i plotë i Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe hapat drejt deeskalimit të situatës në veri të Kosovës”, ka shkruar Stano në Twitter.
Nga Qeveria e Kosovës kanë konfirmuar se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi nesër do të udhëtojë drejt Brukselit për të marrë pjesë në takimin e radhës të dialogut.
“Mund të konfirmoj që nesër janë takimet e radhës të procesit të dialogut. Zëvendëskryeministri do të jetë atje, në Bruksel”, tha këshilltari.
Takimi mes dy kryenegociatorëve ishte pjesë e një dakordimi mes Kosovës dhe BE-së, të cilat bënë një marrëveshje për shtensionimin e situatës.
Në pikën katër të kësaj marrëveshje thuhej se “BE do ftojё dy kryenegociatorёt nё Bruksel me synim finalizimin e planit tё sekuencimit pёr Marrёveshjen drejt Normalizimit, pas tё cilit do tё fillojё zbatimi i tё gjitha neneve tё marrёveshjes”.