Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Bislimi: Çdo trysni ndaj Bankës Qendrore lidhur me dinarin serb, është ndërhyrje në pavarësinë e këtij institucioni

Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi tha të premten se Banka Qendrore është autoriteti i vetëm që zbaton politikat monetare në vend dhe çdo trysni ndaj vendimeve të kësaj banke paraqet ndërhyrje në pavarësinë e këtij institucioni.

“Do të thotë në qoftë se ndërmjetësuesi del e thotë nuk ka koordinim, rregullatori nuk e ka institucion superior zotin Lajçak, rrjedhimisht Banka Qendrore as në hierarki nuk duhet të koordinohet me persona jashtë tyre sepse kjo do të ishte manifestim i varësisë së tyre. Banka Qendrore e ka shumë të qartë misionin, zbatim i politikës monetare”, tha Bislimi.

Ai i bëri këto komente gjatë një raportimi në Komisionin për Integrime Evropiane të parlamentit të Kosovës, duke komentuar debatet që nxiti rregullorja e Bankës Qendrore që pritet të hyjë në fuqi me një shkurt, sipas së cilës euroja do të jetë monedha e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme në vend.

“Mendoj se është shumë me rëndësi që edhe ndërmjetësuesi ta kuptoj që Banka Qendrore nuk është negociuar në Bruksel, neni 11 i Kushtetutës nuk është negociu në Bruksel, pavarësia e bankës nuk është negociu rrjedhimisht nuk duhet të preket. Çdo kush që e takon Bankën Qendrore edhe i thotë pse e keni marrë këtë vendim, qysh doni me zbatu, është duke ndërhy në pavarësinë e këtij institucioni. Mendoj se të gjithë ne bashkërisht duhet ta mbrojmë pavarësinë e Bankës Qendrore”, tha zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.