Nesër do të zhvillohet takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Para pak ditësh zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se në Bruksel për të martën janë ftuar shefat e delegacioneve nga të dy vendet; Besnik Bislimi i Kosovës dhe Petar Petkoviq nga Serbia.
Në këtë takim do të flitet me theks për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës që dinari serb të mos përdoret si mjet pagesave.
“Siç e kemi thënë nga takimi i parë, që ishte i dedikuar për vendimin e BQK-së, duhen më shumë bisedime”, ka thënë Stano.
“Takimi ka zgjidhur disa çështje, ka prekur disa gjëra dhe disa gjëra kanë mbetur që të vazhdohen. Ky saktësisht është vazhdimi. Në këtë fazë janë kryenegociatorët”.
Stano ka vazhduar duke thënë se në agjendën e së martës është edhe zbatimi i marrëveshjes së Ohrit, që ai e ka quajtur çështje urgjente.
Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi, ka pranuar një ftesë nga emisari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, për takim në nivel kryenegociatorësh për të martën e 19 marsit.
Kjo u konfirmua para dy ditësh nga këshilltari për media i Bislimit, Klisman Kadiu, i cili tha se ftesa potencon si fokus të agjendës së diskutimeve avancimin e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit Zbatues të Ohrit.
“Kosova i përgjigjet pozitivisht ftesave të cilat kanë për qëllim përqëndrimin në rrugën përpara e zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të procesit të dialogut, të cilat duhet të çojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe finalizimit të procesit. Qasja jonë konstruktive duhet të njihet me konstruktivitet e bashkëpunim dhe nga pala tjetër”, shkroi Kadiu.
Sot drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovë Petar Petkoviq, ka njoftuar se sot do të niset për në Bruksel, ku të martën do të zhvillojë diskutime në nivel teknik për çështje të rëndësishme për deeskalimin.