Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Bislimi e konfirmon, Lajçak vendosi që të mos ketë takim tripalësh

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka thënë të mërkurën në Bruksel se ndërmjetësuesi i këtij procesi, Mirosllav Lajçak, ka vendosur që të mos kishte takim trepalësh në këtë moment.

Ai i ka bërë këto deklarata pas takimit që ka zhvilluar me ndërmjetësuesin e BE-së për dialog, duke thënë se pala e Kosovës ka qenë e interesuar në një takim mes tre zyrtarëve, raporton Radio Evropa e Lirë.

Më herët gjatë ditës, me Lajçakun është takuar edhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq.

“Ka qenë si duket qëndrim i Lajçakut që në këtë moment, takimi trepalësh jo domosdo do të kontribuonte në finalizimin e dokumenteve, sepse mendon që ka ende ka nevojë për koordinim shtesë para se kjo të ndodhë, madje edhe ka ide që plani i sekuencimit [të Marrëveshjes Bazë] kërkon takim të nivelit të lartë, sipas tij, dhe qartazi kryenegociatorët nuk mund ta përfundojnë këtë proces në mënyrë të suksesshme”.

Bislimi ka thënë se me Lajçakun ka diskutuar për katër tema: plani i sekuencimit të Marrëveshjes Bazë, termat e referencës për monitorimin e Marrëveshjes Bazë, termat e referencës për zbatimin e Deklaratës për personat e pagjetur, dhe për marrëveshjen për energjinë.

Me Marrëveshjen Bazë, Bislimi i është referuar pajtueshmërisë së arritur mes Kosovës dhe Serbisë, në shkurt të këtij viti, për normalizim të marrëdhënieve.

Dy vendet më pas janë pajtuar edhe për aneksin e zbatimit, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Tensionet e fundit në veri të Kosovës e kanë kthyer procesin e dialogut në fazë të menaxhimit të krizave dhe kanë larguar fokusin nga implementimi i Marrëveshjes së Ohrit.

Situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – është tensionuar qysh në fund të majit, kur Policia e Kosovës ka asistuar kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut të hynin në ndërtesat komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë./REL