Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Bislimi: Kërkesat e shqiptarëve të Luginës janë legjitime dhe të drejta

 
   

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për identitet dhe dinjitet, janë plotësisht legjitime dhe të drejta.

Në një postim në Facebook, Bislimi thotë se qeveria mbështet bashkëkombasit në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë si dhe mbetet e angazhuar për të ngritur këto çështje në nivelet më të larta ndërkombëtare dhe të kërkojë përkrahje për t’i dhënë fund diskriminimit të padrejtë.

“Shqiptarët e Luginës së Preshevës vijojnë të përballen me një situatë të papranueshme diskriminimi sistematik, që cënon të drejtat e tyre themelore. Kërkesat e tyre për “respektimin e marrëveshjeve politike, ndalimin e pasivizimit të adresave, njohjen e diplomave të Kosovës dhe përfshirjen e drejtë në institucionet shtetërore” janë plotësisht legjitime dhe të drejta.

Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet bashkëkombasit tanë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë si dhe mbetet e angazhuar për të ngritur këto çështje në nivelet më të larta ndërkombëtare dhe të kërkojë përkrahje për t’i dhënë fund diskriminimit të padrejtë. Zgjidhja e këtyre çështjeve është dëshmi edhe për përkushtimin ndaj demokracisë dhe të drejtat e njeriut, e cila mungon nga fqinji ynë verior, që në vazhdimësi shkel të drejtat e komunitetit shqiptar”, ka shkruar më tutje Bislimi