Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Bislimi: Kosova bëri hapin e saj për de-eskalimin e situatës në veri – njëjtë ta bëjë edhe Serbia

Zëvendëskryeminsitri Besnik Bislim, njëherësh kryenegociator në dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se Kosova ka ndërmarrë hapin e radhës në zbatimin e marrëveshjes së 10 korrikut nga Bratislava.

Në një shkrim në Twitter, Bislimi ka thënë se kjo është bërë me uljen e mëtejshme të prezencës së Policisë në ndërtesat e komunave në veri, pas përfundimeve të vlerësimit të përbashkët të sigurisë.

“Marrëveshja e 10 korrikut është ndërmjet BE-së dhe Kosovës dhe ka për qëllim të zbatojë deklaratën e BE27 nga 3 qershori. Masat e BE-së kundër Republikës së Kosovës deklarohen të përkohshme, të kthyeshme dhe në varësi të një përkushtimi të besueshëm për deeskalim”, tha ai.

Tutje theksoi se pas Marrëveshjes së Bratislavës, është duke ndodhur një proces drejt de-përshkallëzimit.

“Tash e disa javë, situata është e qetë, konfirmuan dje bashkërisht Policia e Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-I”, u shpreh kryenegociatori Bislimi.

Ai shtoi se Kosova po respekton plotësisht angazhimet e saj, derisa tha se beson që edhe pala tjetër do të bëjë të njëjtën gjë.

Ndërkaq, Policia e Kosovës ka bërë të ditur të enjten se më 4 gusht do ta zvogëlojë për 25 për qind prezencën në dhe rreth objekteve komunale në veri të Kosovës.

Ndërsa edhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka mirëpritur vendimin për zvogëlimin e pranisë policore përreth objekteve komunale në veri të Kosovës, që ka ardhur si rezultat i vlerësimit të përbashkët ndërmjet Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it.

Zvogëlimin e pranisë së policisë në veri, Lajçak e ka cilësuar hap të rëndësishëm drejt de-eskalimit të plotë.

“E mirëpres vlerësimin e parë të përbashkët të sotëm të sigurisë ndërmjet Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe NATO-KFOR siç është rënë dakord në Bratislavë”, ka shkruar Lajçak.

Ndryshe, zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komuna veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – u mbajtën më 23 prill të këtij viti, pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – në nëntorin e 2022-ës.

Ato u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, që tani nuk i pranon kryetarët e rinj shqiptarë, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës njoftoi se në procesin e votimit morën pjesë vetëm rreth 3 për qind të personave me të drejtë vote.

Qeveria e Kosovës njoftoi më 11 korrik se është pajtuar që të zvogëlojë praninë policore në veri dhe të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.