Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës, Besnik Bislimi, priti në takim gjatë ditës së sotme disa përfaqësues të rrjetit të Ambasadorëve të rinj Evropian nga Kosova (YEA).
Me ardhjen e liberalizimit të vizave, të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës do të mund të udhëtojnë të lirë, për vizita afatshkurtra. Veçanërisht për të rinjtë, të cilët do të mund të vizitojnë kryeqendrat evropiane, pa barrierat e së kaluarës.
Të rinjtë janë motori lëvizës e forca shtytëse e një shoqërie, veçanërisht në vendin tonë, prej rinisë dinamike e moshës mesatare relativisht të re.
Zëvendëskryeministri Bislimi i informoi ata mbi fushatën e Qeverisë për liberalizimin e vizave, e kontributin që ata mund të japin në informimin e komuniteteve të tyre, sipas edhe rolit që ata mbajnë si ambasadorë të rinj.
Gjithashtu, ai theksoi vëmendjen e veçantë të qeverisë ndaj të rinjve e politikat e ndjekura në këtë drejtim. Ai i falënderoi për takimin e bisedën e frytshme të zhvilluar.