Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Blinken shpreh zotimin e SHBA-së për mbështetje të Ukrainës

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë vizitës së tij në Kiev u takua me zyrtarë të lartë ukrainas. Ai u zotua se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Kievin në kundërofensivën e tij që po vazhdon dhe “për çfarëdo që ka nevojë në terma afatgjatë”.

Vizita e paparalajmëruar e Blinkenit më 6 shtator nisi disa orë pasi kryeqyteti ukrainas u shënjestrua sërish nga raketat ruse.

Departamenti amerikan i Shtetit nuk ka lëshuar asnjë deklaratë lidhur me qëllimin e vizitës së Blinkenit, por kjo vizitë vjen disa ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, shkarkoi ministrin e Mbrojtjes dhe disa zyrtarë të tjerë pas shqetësimeve për përfshirje në korrupsion për prokurimin e pajisjeve ushtarake.

Një zyrtar i paidentifikuar amerikan i tha Associated Press dhe CNN se vizita e Blinkenit ka për qëllim vlerësimin e kundërofensivës tremujore ukrainase dhe sinjalizon vazhdimin e mbështetjes amerikane për Kievin.

Zyrtarët thanë se Blinkeni po ashtu do të njoftojë për një pako të re të ndihmës, në vlerë prej 175 deri në 200 milionë dollarësh. Kjo ndihmë vjen një javë pasi Uashingtoni kishte njoftuar për një pako të ndihmës për Ukrainën.

Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar, SHBA-ja i ka dërguar ndihmë ushtarake Ukrainës në vlerë prej mbi 43 miliardë dollarësh.

Blinken, që udhëtoi për në Kiev me tren, gjatë udhëtimit drejt Ukrainës u takua me kryeministrin danez, Mette Frederiksen, tha DASH-i. Zyrtari amerikan falënderoi Danimarkën për ofrimin e trajnimit të pilotëve ukrainas për avionët luftarakë F-16, duke premtuar se do t’i dhurojë Kievit këso lloj fluturakesh.

Pasi arriti në Kiev, Blinken vendosi kurora lulesh në një varrezë, duke nderuar ushtarët ukrainas të vrarë duke mbrojtur shtetin e tyre.

“Ne duam të sigurohemi se Ukraina ka atë që i duhet, jo vetëm për kundërofensivën, por edhe terma afatgjatë, në mënyrë që të ketë qëndrueshmëri”, citohet të ketë thënë Blinken për gazetarët./Rel/

Tags: