Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka dalë sërish me një mesazh të fortë për liderët e Kosovës dhe të Serbisë.
Ai u kërkoi nga Kurti dhe Vuçiç që të ulin tensionet, duke paralajmëruar se ata po rrezikojnë aspiratat e integrimit evropian.
“Ne u bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe të Serbisë që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet”, u tha Blinken gazetarëve në Oslo.
Blinken i bëri këto komente pasi u takua me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në Norvegji, aty ku po mbahet samiti i ministrave të Jashtëm të vendeve të NATO.
“Ne mbështesim procesin e integrimit euroatlantik për Kosovën dhe Serbinë. Por përshkallëzimi aktual më shumë pengon sesa ndihmon përpjekjet për të ecur në atë drejtim”, shtoi ai.
Shtetet e Bashkuara më herët kritikuan Kosovën, pasi kryeministri Albin Kurti refuzoi thirrjet e bëra prej tyre që krerët e komunave të mos futen në zyra.
“Ne kemi qenë shumë të qartë në shqetësimet tona për disa nga veprimet e fundit që janë ndërmarrë. Këtë ua kemi thënë drejtpërdrejt liderëve të përfshirë, duke përfshirë kryeministrin Kurti”, tha Blinken.
Blinken kërkoi të ndalen veprimet e njëanshme nga secila palë, pasi Serbia gjithashtu vuri ushtrinë e saj në gatishmëri.
“Shumë aleatë shprehin shqetësimin për rritjen e tensioneve në veriun e Kosovës dhe i dënon fuqishëm sulmet e fundit ndaj KFOR-it, kolegëve tanë italianë dhe hungarezë që u lënduan në atë sulm. Ftojmë Qeverinë e Kosovës dhe të Serbisë të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të shtensionuar situatën dhe të rinisin përpjekjet për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit të udhëhequr nga BE-ja”, ka thënë Blinken në konferencë për media të enjten në Oslo të Norvegjisë.
Blinken paralajmëroi kundër “veprimeve unilaterale” nga secila palë, pasi Serbia gjithashtu vuri ushtrinë e saj në gatishmëri.
Ai tha se një e ardhme evropiane do të përmbushte “aspiratat e njerëzve në të dyja vendet”.
Duke folur pas një takimi të ministrave të jashtëm të NATO-s në Oslo, Blinken tha se shumë aleatë u shprehën të shqetësuar për tensionet në veri të Kosovës.
Kjo nuk është hera e parë që sekretari Blinken ka reaguar për tensionet në pjesën veriore të Kosovës.
Tensionet në veri të Kosovës u rritën qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hyjnë në zyrat komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.
Blinken ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me situatën e krijuar në veri të Kosovës disa herë, duke i bërë thirrje edhe Kosovës, edhe Serbisë që t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve.
Më 29 maj, nga përleshjet midis protestuesve serbë që kundërshtojnë kryetarët dhe ushtarëve të KFOR-it në Zveçan – 30 ushtarë mbetën të plagosur, ashtu si edhe dhjetëra protestues.
NATO-ja ka thënë se është e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë, për të qetësuar dhunën në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe, tha të enjten shefi i aleancës, Jens Stoltenberg.
Ai shtoi se 700 trupat e para përforcuese janë tashmë në rrugë për në Kosovë.
Kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb.
Ndryshe në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, qytetarët serbë janë duke vazhduar protestat kundër kryetarëve shqiptarë, ndonëse në numër më të vogël, krahasuar me ditët paraprake.