Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Bombola e gazit shpërtheu në bodrum, policia jep detaje nga rasti ku u lënduan 14 persona në Kçiq të Mitrovicës

 
   

Policia e Kosovës ka dhënë detaje nga shpërthimi i një bombole gazi në fshatin Kçiq të Mitrovicës, ku 14 persona pësuan lëndime trupore.

Rasti ka ndodhur rreth orës 16:35, ku shkaqet e shpërthimit ende nuk dihen.

“Katërmbëdhjetë persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në bodrumin e shtëpisë ku po qëndronin. Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Shkaqet e shpërthimit ende nuk dihen. Përveç të lënduarve si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale”, thuhet në raportin e policisë.

Më tej, policia bën të ditur se në vendin e ngjarjes përves njësive të nevojshme policore kishin dalë edhe zjarrfikësit dhe eksperti i zjarrit.

Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente.

Ndryshe, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka njoftuar se katër nga personat e lënduar nga shpërthimi i bombolës së gazit në Kçiq të Mitrovicës janë në gjendje më të rënduar shëndetësore nga djegia që kanë pësuar.

Siç bëhet e ditur në njoftim, të njëjtit pas operimit janë transferuar për mjekim të mëtejshëm në Mjekimin Intensiv Qendror.

Të lënduarit që po trajtohen në QKUK janë vizituar edhe nga kryeministri Albin Kurti.

Kurti ka lavdëruar personelin e QKUK-së për ndihmë e ofruar personave që kërkuan ndihmë mjekësore nga lëndimet e pësuara.