I gjithë territori i vendit tonë që prej mbrëmjes së djeshme është përfshirë nga moti i keq, ku veriu i vendit është përfshirë nga dëbora dhe pjesa qendrore dhe jugore nga reshjet e dendura të shiut.
Në një lidhje direkte për News24 meteorologu Hakil Osmani ka folur për ndryshimet e motit që do të na shoqërojnë gjatë javës së ardhshme.
Meteorologu është shprehur se prej ditës së nesërme do të kemi përmirësim të motit por do të kemi rënie të ndjeshme të temperaturave duke bërë që reshje të lehta bore të kemi në zonat qendrore deri në ato bregdetare si në Vlorë e Sarandë.
I gjithë territori është përfshirë nga reshjet e shiut ku momentalisht rrebeshet e shiut janë fokusuar në zonat qendrore, nga lumi Drin deri poshtë në Osum pritet të jenë mesatare dhe lokalisht intensive. Reshjet do të vijojnë deri në mesditë dhe më pas pritet të zhvendosën në zonat lindore dhe juglindore ku pritet të ketë rrebeshe shiu dhe jo vetëm.
Në orët e mesditës kemi dhe një rënie të ndjeshme të temperaturave, duke bërë që këto temperatura të krijojnë mundësi për reshje dëbore në të gjithë zonat veriore por edhe në zonat qendrore pritet të ketë reshje të pakta dëbore nga mbrëmja e sotme deri nesër në mëngjes.