Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Borrell do të thërrasë në takim përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Punë të Jashtme, Josep Borrell, ka njoftuar këtë të enjte se shpreson që javën e ardhshme të takohet me përfaqësuesit e Serbisë dhe Kosovës në Bruksel.

Takimi do të zhvillohet në një kohë tensionesh mes Kosovës dhe Serbisë për shkak të refuzimit të serbëve të Kosovës për të pranuar shqiptarët për kryetarë në katër komunat veriore ku është i përqendruar minoriteti serb i Kosovës, shumicë në këtë rajon.

“Unë do t’i thërras të dyja palët, në Serbi dhe Kosovë, për një takim për menaxhimin e krizave këtu në Bruksel javën e ardhshme”, tha Borrell pas mbërritjes së tij në takimin e ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, transmeton Telegrafi.

Sipas medias spanjolle El Punt Avui, Borrell ka thënë se duke pasur parasysh gjendjen e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ajo i kthehet “metodës së menaxhimit të krizës”, duke pasur parasysh përkeqësimin e situatës.

Borrell iu referua arrestimit të tre policëve nga Kosova nga Serbia dhe theksoi se ata “po përpiqen të përcaktojnë saktësisht se çfarë ka ndodhur” dhe se BE-ja është “në kontakt të ngushtë” me komandën e misionit të NATO-s në Kosovë dhe me Beogradin dhe Prishtinën “për të parë se çfarë ndodhi në të vërtetë këtu dhe çfarë çoi në këtë arrestim”.