Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Bregu: Faza e re e tregut të përbashkët rajonal do të miratohet Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit

Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Majlinda Bregu, ka thënë se Faza e re e tregut të përbashkët rajonal do të jetë gati dhe do të miratohet nga liderët ballkanik në Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit.

Ajo këtë e ka thënë në takimin e mbajtur në Shkup në mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të lartë të BE-së dhe ShBA-së i mbajtur të hënën në Shkup.
Bregu tha se hyrja në tregun e përbashkët të BE-së do të sigurojë perspektivë për Ballkanin Perëndimor.

“Ky do të jetë një proces i vështirë për të dy palët, BE-në dhe Ballkani Perëndimor. Ndaj nëse duam të jetë një proces i suksesshëm për rajonin, e kemi të qartë se duhet të bëjmë 2 procese paralele këtë vit, të cilat do të ushqejnë njëra-tjetrën respektivisht. I pari është plani për hyrjen e rajonit në tregun e përbashkët të BE-së dhe tjetri po hyn në fazën e dytë të planit të veprimit të tregut të përbashkët rajonal”, tha Bregu, thuhet në komunikatën për media.

Ajo ka thënë se faza e dytë e Tregut të Përbashkët Rajonal do të jetë më komplekse pasi struktura ekonomike e rajonit ka ndryshuar gjatë dhe pas pandemisë.

“Aftësitë në rajon duhet të përditësohen, përmirësohen dhe rifreskohen. Kështu që plani i ri i aktivizimeve për Tregun e Përbashkët Rajonal që po përgatisim tani, do të jetë më shumëngjyrësh dhe do të jetë gati për t’u miratuar nga liderët e Ballkanit Perëndimor në Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit”, përfundoi Bregu.

Në takimin e mbajtur në Shkup pjesëmarrës ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Në fjalën e tij, ai ndër të tjera tha se Kosova është e gatshme të përmbush reformat e kërkuara nga BE-ja duke shtuar poashtu se fondet për Ballaknin Perëndimor duhet të ndahen sipas vlerave të BE-së që përfaqësojnë vendet e rajonit tonë./teve1.info/