Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Brush: Kurti u zgjodh për të luftuar për Kosovën, ka obligime ndaj elektoratit të tij

 
   

Ish-diplomatja amerikane, Jennifer Brush, e cila më herët ka shërbyer si zëvendësshefe e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, nuk është optimiste se udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë duan zgjidhje në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, ajo thotë se, derisa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “e sheh veten si president të ‘botës serbe’, ai nuk mund të jetë negociator i ndershëm në asnjë tryezë”.

“Sa i përket [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti, ai nuk është zgjedhur për të bërë marrëveshje me Serbinë; ai është zgjedhur për të luftuar për Kosovën. Ai ka obligime ndaj elektoratit të tij dhe do të shkojë në një rund të ri zgjedhjesh së shpejti”, thotë Brush.

Brush, e cila ka shërbyer edhe si zëvendësshefe e misionit në Ambasadën e SHBA-së në Beograd, thotë se Perëndimi duhet ta rrisë më tepër presionin mbi Serbinë, sepse, sipas saj, është Serbia ajo që mund të bëjë më shumë për të destabilizuar rajonin dhe jo Kosova.