Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Bugajski zbulon mjetin e Rusisë dhe Serbisë për të dobësuar SHBA-në

 
   

Janusz Bugajski, gazetar dhe njohës i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, në një artikull të fundit autoral shkroi rreth rolit të Rusisë dhe Serbisë në përhapjen e frikës në diskursin publik mbi mundësinë e përshkallëzimit të konfliktit në rajon, në përpjekje për të minuar stabilitetin dhe dobësuar vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

“Escalaphobia, frika irracionale nga përshkallëzimi i konfliktit është bërë një mjet psikologjik i përdorur nga Moska dhe Beogradi për të dobësuar vendosmërinë e SHBA-së dhe për të fituar avantazhe për politikat e tyre ekspansioniste. Në realitet, një frikë e ekzagjeruar për të provokuar konflikt të armatosur ka pikërisht efektin e kundërt”, shkroi Bugajski.

Bugajski e cilësoi “dështim të madh” strategjinë e administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, posaçërisht përpjekjen amerikane për ta tërhequr presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, brenda orbitës perëndimore dhe larg ndikimit rus dhe kinez.

Madje, ai shtoi se administrata e Bidenit inkurajoi ambiciet serbe në rajon, duke hequr dorë nga njohja e Kosovës.

“Zbutja e Vuçiqit intensifikoi ambiciet e Serbisë, largoi SHBA-në nga aleatët në Bosnje-Hercegovinë, Kosovë dhe Mal të Zi dhe ndihmoi në hapjen e derës ndaj ndikimeve shkatërruese ruse dhe kineze. SHBA-ja ka më pak besim në rajon se në çdo kohë të historisë së fundit, ndërkohë që strategjia e zbutjes ka përmbysur shumë nga përparimet e arritura që nga vitet 1990”.

Ndryshe, shtet serb shpesh vlerësohet si shtet i kapur e tejet problematik, jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe për vetë SHBA-në. Gjithashtu, perspektiva e të ardhmes evropiane të Serbisë mbetet e paqartë përderisa ajo vazhdon të ndjekë politika të pafavorshme ndaj stabilitetit rajonal.