Bujar Bukoshi, ish-kryeministër në ekzil i Kosovës, ka folur edhe për ish-bashkëpunëtorin e tij të vjetër, Ibrahim Rugova.
Bukoshi deklaroi se për ish-presidentin historik, pra Rugovën, Perëndimi ishte si fe.
“Ne ishim duke dalë nga një burg, ku na kishte mbajtur Serbia dhe ish Jugosllavia dhe ishim dele e zezë e Perëndimit, pasi identifikoheshim si një shoqëri problematike.
Qartësia e politikës së Ibrahim Rugovës dhe vendosmëria e tij për të qenë vetëm me SHBA dhe vetëm me vendet Evropiane, shpëtuan Kosovën. Ai e kishte si fe Perëndimin dhe shoqëria e Kosovës po ashtu ia pranoi atë si njëlloj feje, religjioni.” – deklaroi ai.
Tutje, Bukoshi ka theksuar se Rugova dhe elita politike e asaj kohe, që u rreshtua kryesisht në LDK, e bombardoi Kosovën me dashuri për Perëndimin “si shpëtimtar i Kosovës”.
“Ibrahim Rugova dhe ne që vendosëm ta lidhim Kosovën me Perëndimin, kishim në anën tonë historinë e Evropës që po ndryshonte në atë kohë. Dhe Kosova u bombardua prej nesh dhe asaj klase politike me dashurinë për Perëndimin si shpëtimtar i Kosovës.
Tani po bëhet e kundërta. Po kthehen folklorizmat e shekullit 20 kur Evropa mallkohej për kufijtë shqiptarë, ndërkohë që Evropa sapo na premtoi që do na hiqte kufijtë e saj. Të shpresojmë se këto ethe tona do kalojnë.” – shtoi ai.