Gjatë këtyre ditëve do të fillojë shqiptimi i gjobave për rreth 100 zyrtarëve publikë, të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë. Tetë prej tyre janë mjekë e profesorë, e që për herë të parë janë obliguar të bëjnë një gjë të tillë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.
Drejtori Yll Buleshkaj tregon se janë duke bërë verifikimin e plotë të rregullt të pasurisë, që siç shton ai, janë rreth 70 kandidatë për kallëzime penale.
Ai përmend sfidat që kanë pasur në pranimin e informatave lidhur me deklarimin e pasurisë së zyrtarëve publikë.
Buleshkaj: Jemi të gatshëm të shqiptojmë 98 gjoba për zyrtarë publikë
“Janë shtuar dy kategori të reja që kanë qenë mjekët dhe profesorët, e nga tetë nuk e kanë deklaruar pasurinë. E pastaj kemi pasur deklarimin e rregullt të pasurisë, ku kanë qenë rreth 10 mijë zyrtarë, të cilët kanë qenë të obliguar ta kryejnë këtë obligim dhe rreth 90 nga ta nuk e kanë kryer obligimin brenda afatit kohor. Ne jemi në fazën përfundimtare të lëshimit të gjobave për ta, sepse secili zyrtar që nuk e ka deklaruar në kohë, do të gjobitet me 30 për qind të pagës së tyre. Kemi pasur sfida për pranimin e informatave, sepse disa nga ta nuk paguhen përmes thesarit të shtetit, por paguhen përmes burime të tjera, të cilat na është dashur një herë ta konfirmojmë përmes kontaktimit, qoftë institucionet tjera, apo ndërmarrjet publike. Por, tash jemi në finalizim të këtij procesi. Unë tash kam pranuar raportin e plotë dhe po besoj që brenda kësaj jave do të jemi të gatshëm të shqiptojmë këto 98 gjoba për 98 zyrtarë, tetë prej tyre janë profesorë e mjekë”, deklaron Buleshkaj.
Teksa u bëri thirrje zyrtarëve publik që të paguajnë gjobat, ai tregoi se sa është numri i kallëzimeve penale që kanë bërë vitin e kaluar.
Buleshkaj: Vitin e kaluar kemi pasur 74 kallëzime penale
“Vitin e kaluar kemi pasur rreth 74 kallëzime penale që i kemi përgatitur gjatë vitit të kaluar. Ka pasur një rënie drastike të numrit për shkak se është respektuar më shumë ligji dhe ka pasur numër shumë të vogël ose vetëm rreth 30 që nuk e kanë kryer në kohë deklarimin e pasurisë. E për ta janë shqiptuar gjobat vitin e kaluar dhe brenda afatit shtesë pjesa dërmuese e tyre e kanë kryer këtë obligim. Edhe këtë vit kemi vazhduar duke i mbledhur këto të hyra nga gjobat që janë shqiptuar vitin e kaluar. Tash i kemi gjobat për këtë vit, procesi na ka zgjatur pak më shumë për arsye të sfidave që kemi pasur, tash jemi në fazën finale dhe brenda këtij viti do t’i mbledhim. Zyrtarëve iu bëjmë thirrje që t’i paguajnë këto gjoba menjëherë, sepse i paguajnë vetëm gjysmën e tyre, ngjashëm si gjobat që pranohen për shkeljet në trafik”, tha drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.
Po ashtu, drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit thekson se janë duke bërë verifikimin e plotë të pasurisë së deklaruar.
Buleshkaj: Jemi duke kryer verifikimin e plotë të pasurisë së deklaruar
“Jemi duke kryer edhe verifikimin e plotë të rregullt të pasurisë. Janë edhe aty rreth 70 kandidatë për kallëzime penale. Jemi duke bërë prapë një verifikim të fundit, në mënyrë që politika e re e Agjencisë është që rastet që kalojnë në prokurori të janë më pak, por të janë raste të cilat nuk ka ndonjë arsye që mos të ngritën aktakuza ndaj tyre. Të ketë një hetim, nëse ka nevojë, pak më të gjatë dhe pak më të thuktë, në mënyrë që t’i mbledhim sa më shumë informatat dhe t’ia lehtësojmë punën prokurorisë dhe gjyqësorit për të marrë vendimet e tyre për këto që kualifikohen si vepra penale”, ka thënë Buleshkaj.
Buleshkaj tregon se për deklarimin e pasurisë gjatë këtij viti janë ngritur rreth 30 aktakuza.
Buleshkaj: Vitin e kaluar kanë qenë rreth 30 aktakuza të ngritura
“Vitin e kaluar kanë qenë më pak se 30 (aktakuza), këtë vit janë ngjashëm me vitin e kaluar, nuk është numër shumë i madh. Edhe pse vitin 2022 i kemi dërguar 270 kallëzime penale, ne prapë i kemi pasur 25 aktakuza. Vitin e kaluar i kemi dërguar 70. Po, besoj, që tashmë e kemi përmirësuar kualitetin e punës tonë, e numri i aktakuzave është më i lartë në raport me kallëzimet penale që i dërgojmë”, shprehet ai.
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit në prill të këtij viti ka publikuar regjistrat e deklarimit të pasurisë. Afati i fundit për deklarimin e pasurisë ka qenë 31 marsi 2024.