Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), nuk është e kënaqur me trajtimin e rasteve të trajtuara nga Prokuroria e Shtetit. Kështu ka thënë drejtori i këtij institucioni, Yll Buleshkaj.
Buleshkaj ka treguar për bashkëpunimin që APK ka më Prokurorinë si dhe sfidat me të cilat është duke u përballur ky institucion.
Teksa ka treguar për dërgimin e lëndëve në Prokurori, ai ka thënë se nuk kanë pasur mundësi as ankimimi për shkak se nuk janë konsideruar si palë e dëmtuar.
“Ne jo gjithmonë jemi të kënaqur me punën që e zhvillon Prokuroria në trajtimin e kallëzimeve tona penale sepse besojmë që ka pasur vend për më shumë aktakuza se sa ato që i bënë Prokuroria por tek e fundit ajo është puna dhe mandati i Prokurorisë dhe ne nuk guxojmë t’i përzihemi shumë në punën e tyre. Ne për rastet që nuk kemi qenë të kënaqura në përfundimin e hetimeve ne i kemi zhvilluar procedurat ankimore në Prokurorinë e Apelit të cilat fatkeqësisht janë refuzuar sepse nuk ka kanë konsideruar si palë të dëmtuar”, u shpreh Buleshkaj për EO, teksa thotë synim i tyre është që rastet e tyre të ngritën kallëzime penale e jo për të krijuar tollovi.
“Besoj që ne si agjenci kemi vend për të përmirësuar kallëzimet tona penale dhe për t’i dëshmuar më mirë, po besoj që edhe prokuroria ka vend t’i kuptoj më mirë rastet tona, gjitha këto besoj që do t’i bëjmë në një ambient të besimit të ndërsjellët dhe si fund edhe agjencia nuk do të dërgoj kallëzime penale të cilat nuk kalojnë kurrsesi në prokurori sepse qëllimi jonë është që secili kallëzim penal i joni të kthehet në aktakuzë e po ashtu mos të shkaktojmë edhe tollovia për raste të panevojshme prokurorisë”, u shpreh Buleshkaj.
Buleshkaj ka folur edhe për Ligjin për Byronë, e cila po e pret dritën jeshile nga Gjykata Kushtetuese. Ai ka deklaruar se do të jenë në dispozicion të këtij institucioni në momentin që funksionalizohet.