Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Bunjaku-Rexhepi: LVV nuk dëshiron të zbardhet e vërteta për tenderët njëburimor

 
   

Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi ka folur pas dështimit të themelimit të komisionit hetimor parlamentar për çështjen e tenderëve njëburimor.

Bunjaku-Rexhepi ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje është më e gatshme të shkoj në zgjedhje se sa ta formojë një komision të tillë.

Ajo ka thënë se LVV nuk do që të zbardhet e vërteta.

“Nuk kam prit që do të votohet formimi i këtij komisioni hetimor. LVV tha zgjedhje po, komision hetimor jo. Më të interesuar janë më shku në zgjedhje se sa me u formu komisioni hetimor për tenderë njëburimor, sepse nuk duan që të zbardhin të vërtetën”, është shprehur ajo.

Më tej, Bunjaku-Rexhepi ka vlerësuar se kjo qeveri ka ardhur në pushtet me kauzën për luftë kundër korrupsionit, e në fakt ky fenomen po lulëzon me këtë qeverisje.

Ajo ka treguar se janë gjithsej 871 tenderë njëburimorë të dalë nga kjo qeveri, ku mundësia për keqpërdorime është më e lehtë.

“Është qeveria që ka ardhur në pushtet me kauza të rrejshme kundër korrupsionit dhe korrupsioni ka lulëzuar në qeverinë Kurti. E themi me argumente sepse janë 871 tenderë njëburimorë, ku mundësia është më e lehtë për keqpërdorim”, ka shtuar ajo.

Deputetja e LDK-së po ashtu, ka thënë se si parti e kanë ftuar prokurorinë të merret me këto çështje dhe se besojnë në drejtësi.