Deputetja e LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Valentina Bunjaku, kritikoi partinë në pushtet duke thënë se në secilën fushatë i kanë përdorur minatorët, dhe se tani kur është çështja për t’u bërë zgjidhje atyre, po ikin prej përgjegjësisë.
“Është nata e tetë që minatorët po bëjnë grevë. A ka shkuar kryeshefi t’i vizitojë? A ka qenë kryeministri t’i vizitojë? A ka qenë zonja Rizvanolli t’i vizitojë ata minatorë? Tani pasi që erdhën sindikalistët në Komisionin për Ekonomi, Tregti dhe Industri, shkuan t’i vizitojnë. Atëherë ku është esenca? Meqë kanë reaguar aq shumë sindikalistët dhe opozita, i paskemi detyruar ne që të shkojnë e t’i vizitojnë minatorët”, deklaroi Bunjaku.
Ajo tutje shtoi se as ajo e as LDK-ja nuk janë të interesuar të bëjnë politikë me minatorët, por është e interesuar të bëjë zgjidhje që të dalin ata njerëz nga greva, sepse siç tha, çdo minutë pritet keqësimi i gjendjes së tyre.
“Përgjegjësia është mbi kryeministrin dhe mbi ministren Rizvanolli”, shtoi deputetja Valentina Bunjaku.