Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Burri i Edona Llalloshit në paraburgim, dyshohet se e rrahu kandidaten për deputete

 
   

Gazmond Haxhifejzullahi, bashkëshorti i kandidates për deputete të Lëvizjes Vetëvendosje, Edona Llalloshi, po mbahet në paraburgim si i dyshuar për dhunë në familje.

Haxhifejzullahi është denoncuar për dhunë në familje muajin e kaluar, ka mësuar media nga burime brenda organeve të rendit.

Bashkëshorti i këngëtares, e cila aderoi në Lëvizjen Vetëvendosje të mërkurën, është denoncuar për dhunë në familje. Konflikti mes çiftit dyshohet se ka nisur për shkak të një prone që pretendohet se i takon kandidates për deputete.

Rasti është konfirmuar edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

“Lidhur me çështjen për të cilën keni kërkuar informata, ju njoftojmë se rasti të cilit i referoheni është në fazën e hetimeve nga ana e prokurorit të çështjes dhe ndaj të njëjtit është parashtruar kërkesë për caktimin e paraburgimit, kurse më shumë informata lidhur me këtë rast nuk mund të jepen”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

Ndërkaq, sipas burimeve të Paparacit, Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji Haxhifejzullahit.

Emri i këngëtares së njohur shqiptare doli edhe njëherë tjetër në skenë para pak ditësh kur lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, njoftoi se Llalloshi do të jetë pjesë e listës për deputetë.

“Edona Llalloshi është një nga emrat më të dashur të skenës sonë muzikore. Në karrierën e saj tre dekadash, përveç krijimeve cilësore, ajo ka spikatur për personalitetin e saj të veçantë. Është pjesë e listës sonë për fitoren e madhe. Me Edonën , do t’i përkushtohemi edhe më shumë artit dhe kulturës, Edona”, kishte shkruar Albin Kurti në rrjetin social Facebook.

Vetë Llalloshi në njoftimin e saj kishte thënë se do të fokusohet për adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me barazinë gjinore si dhe dhunën në familje.

“Të dashur qytetarë të vendit tim, publiku im i çmuar, të dashur familjarë, kam kënaqësinë të ndaj me ju vendimin tim për të kandiduar si deputet i Republikës së Kosovës, duke u bërë pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje. Unë besoj fuqishëm se mund të krijojmë politika që pasqyrojnë nevojat reale të të gjitha komuniteteve në Kosovë. Angazhimi im do të jetë adresimi i çështjeve që kanë të bëjnë me barazinë gjinore, dhunën në familje, kulturën e më shumë”, kishte shkruar ndër të tjera Edona.