Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Bytyçi: Vizita e Kasanof shtim i përpjekjeve që të arrihet zbatimi i marrëveshjeve

 
   

Profesori, Seb Bytyçi, vlerëson se mediat në Serbi i kanë dhënë një ngjyrim më urgjent, se çka në fakt sipas tij është vizita e të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Aleksander Kasanof në rajon.

Bytyçi, ka thënë se e sheh më shumë si një vizitë njohëse me gjendjen në terren dhe me liderët ballkanas personalisht sesa si një vizitë për shkak të ndonjë zhvillimi urgjent.

“Mediat serbe ia kanë dhënë një ngjyrim ndoshta më urgjent se që është. Faktikisht nuk mendoj se është një vizitë urgjente që ka të bëjë me ndonjë ngjarje apo zhvillim urgjent, mirëpo është më shumë një takim njohës pasi i deleguari sapo e ka marrë detyrën dhe është një vizitë që shërben për tu njohur me gjendjen në terren apo edhe personalisht me liderët”, ka thënë ai.

Po ashtu, Bytyçi mendon se është edhe një lloj përgatitje e terrenit për arritjen e ndonjë marrëveshjeje në të ardhmen pasi aktualisht sipas tij dialogu ka ngecur për shkak të zgjedhjeve në Kosovë dhe atyre në ShBA.

“Dhe natyrisht bëhet fjalë për përpjekje që pritet të shtohen për zbatimin e marrëveshjeve, sepse nuk pritet të ketë ndonjë përparim të madh drej zbatimit të tyre pasi e dimë që tash dialogu në njëfarë mënyre ka ngecur dhe tashmë është i ndikuar edhe nga zgjedhjet në Kosovë dhe zgjedhjet në ShBA. Pritet që të ketë diskutime të qëndrimeve të të dyja palëve me qëllim që të përgatitet terreni apo që të punohet që në të ardhmen të bëhet ndonjë përparim për zbatimin e marrëveshjeve”, ka shtuar ai.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Aleksander Kasanof, të enjten ka ardhur për vizitë në Kosovë.

Kasanof është takuar me presidenten Osmani e cila sipas njoftimit të presidencës ka përmenduar nevojën e një dialogu strategjik me ShBA-në si hap për fuqizimin e partneritetit.

Ndërkaq pas takimit me Osmanin, emisari i ShBA-së është takuar me kryeministrin Kurti.