Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Cakolli: Këto janë datat e vetme të zgjedhjeve të rregullta

 
   

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka ftuar zyrtarisht liderët e partive politike që t’i takojë më 31 korrik në konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare.

Lidhur me ftesën e presidentes Osmani, një reagim e ka bërë edhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Cakolli thotë se zgjedhjet e rregullta parlamentare do të mbahen në periudhën mes fundit të janarit dhe mesit të shkurtit të vitit 2025.

“Datat e vetme të zgjedhjeve të rregullta që Presidentja mund t’i diskutojë me partitë politike në takimin e së mërkurës, janë 26 janari, 2, 9 apo 16 shkurti. Presidentja ka kohë më së voni deri në mes të nëntorit, për t’a caktuar ndonjërën prej këtyre datave”, ka pohuar ai.

Në postimin e bërë në Facebook, ai ka shtuar se “zgjedhjet, më herët se në janar, mund të jenë veç të parakohshme – pas shpërndarjes së Kuvendit (me 2/3 e votave) apo rënies së qeverisë (përmes mocioneve apo dorëheqjes së KM)”.

Ndryshe, në maj të këtij viti, Partia Demokratike e Kosovës ishte e pajtimit që në zgjedhje të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit, por jo edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

LDK-ja e AAK-ja dëshironin fillimisht dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti.

Zgjedhjet e fundit nacionale janë mbajtur më 14 shkurt 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje doli e para me më shumë se 50 për qind të votave. Partia e dytë ishte PDK, e treta LDK, kurse e katërta AAK.