Gjykata Themelore në Prishtinë ka mbajtur sot seancën dëgjimore ndaj të pandehurit V.T., i cili është arrestuar si pjesë e grupit terrorist serb në Banjskë, ku dje u sulmua Policia e Kosovës, e për pasojë u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Seanca është mbajtur në QKUK, pasi i pandehuri është i plagosur dhe po trajtohet aty.
Lajmin për RTK-në e ka konfirmuar Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore.
“Seanca për shqyrtimin e kërkesës për caktimin e paraburgimit është mbajtur dhe ka përfunduar në hapësirat spitalore në QKUK, ku është i vendosur i pandehuri V.T.”, ka thënë Gashi.
Ajo ka bërë të ditur se nesër në objektin e gjykatës do të mbahet seanca edhe për dy të pandehurit tjerë të këtij rasti.