Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

‘Canki’ që u plagos në Prishtinë lirohet nga spitali, Prokurori urdhëron ndalimin e tij për 48 orë

 
   

Incidenti me të shtëna me armë zjarri mes dy grupeve mbrëmë në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë, javën e kaluar përfundoi me një person të plagosur. I dyshuari, Veton Gashi, i njohur si ‘Canki’ u qëllua dy herë nga grupi tjetër, teksa akoma nuk dihet motivi i tentim vrasjes. Gashi dhe tre persona të tjerë, Lirigzon Sejdiu (i arrestuar) dhe Trim Krasniqi e Zan Zeka – që ndodhen në arrati, janë të dyshuar për rastin.

I riu me nofkën ‘Canki’ deri ditën e djeshme ka qenë duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe pasi gjendja e tij është stabilizuar, i njëjti është liruar.

Por, siç mëson Sinjali, pas lirimit nga spitali, i dyshuari ka përfunduar në ndalim policor.

Pas intervistimit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që Gashi të dërgohet në mbajtje për 48 orë dhe brenda afatit ligjor të ndërmerren veprimet e tjera të nevojshme.

Cilat janë detajet e rastit?

Mbrëmjen e 11 janarit, Gashi e Sejdiu në njërën anë dhe Krasniqi e Zeka në anën tjetër dyshohet se kanë shkëmbyer zjarr, duke shkrepur armët mbi 10 herë,

I plagosuri ishte dërguar fillimisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare për trajtim mjekësor, e më pas është transferuar në QKUK, ndërsa miku i tij Sejdiu u shoqërua në stacion policor.

Kurse dy të dyshuarit që ende nuk janë kapur nga Policia janë larguar nga vendi i ngjarjes me automjetin e tyre, të cilin e kanë braktisur rrugës për t’ia mbathur në këmbë.

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar gëzhojat dhe disa fishekë – teksa Polica s’ka arritur t’i gjejë armët e përdorura nga të dyshuarit.

Ndryshe, i plagosuri ‘Canki‘ dhe i arratisuri Krasniqi janë emra të njohur për organet e rendit, si pasojë e të kaluarës së tyre kriminale.