Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Çedomir Jovanoviq hyn në zgjedhjet serbe me mesazhin për Kosovën e pavarur

Kryetari i Partisë Liberal-Demokratike në Serbi, Çedomir Jovanoviq, ka njoftuar se do t’u hyjë zgjedhjeve të reja në Serbi nën sloganin “Duhet ndryshe” dhe me një kampanjë në të cilën synon t’ua tregojë qytetarëve serbë të vërtetën për Kosovën e pavarur.

Jovanoviq ka njoftuar se ka vendosur të hyjë në zgjedhje për shkak të ngjarjeve të 24 shtatorit në Banjskë dhe heshtjes së Serbisë ndaj tyre, si dhe se nuk dëshiron të jetojë në një shtet ku qytetarët zgjedhin mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Dragan Dilashit, shkruan “Danas”.

“Nuk do të gënjej shtetin për Kosovën, që të ofroj ndonjë rrugë më të lehtë, sepse në fund të asaj rruge do të zhdukeshim”, ka thënë Jovanoviq.

Ai ka njoftuar se do të marrë pjesë edhe në zgjedhjet lokale të Beogradit, duke shtuar se dëshiron një kryetar që “shëron Beogradin”.

Jovanoviq ka thënë se është kundër planit franko-gjerman sepse, sipas tij, nuk është menduar për Serbinë. Siç ka thënë, ai dëshiron, “që pushteti i ardhshëm në Serbi të ftojë përfaqësuesit e Prishtinës në Beograd ose të shkojnë në Prishtinë, të bisedojnë dhe që Kosova të jetë toka e popullit serb dhe popullit shqiptar, ata që duan të jetë tokë shqiptare le të shkojnë në Shqipëri, e ata që dëshirojnë të jetë tokë serbe në Serbi”.

Jovanoviq ka thënë se gjatë fushatës për zgjedhjet e 17 dhjetorit do të shkojë edhe në Kosovë për t’i vizituar familjet e serbëve të vrarë dhe familjen e policit të vrarë nga sulmi terrorist në Banjskë.

Ka shtuar se nuk e respekton Kishën Ortodokse Serbe.

Jovanoviq ka vite që njihet si ndër politikanët e rrallë serbë që e njohin pavarësinë e Kosovës.