Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Çfarë dihet për rezultatet e negociatave SHBA-Rusi-Ukrainë

Pas negociatave intensive tre-ditore mes delegacioneve amerikane, ruse dhe ukrainase, administratat e të tri vendeve kanë rënë dakord për një armëpushim të limituar, për detajet e së cilit duket se ka ende mospajtime mes palëve.

Takimet tre-ditore që u zhvilluan në Riad të Arabisë Saudite nuk përfshinin negociata të drejtpërdrejta ruso-ukrainase, por pala amerikane ishte ndërmjetësuese duke mbajtur bisedime të veçanta me të dyja palët.

Negociatat kryesisht u përqendruan në lehtësimin e transportit detar në Detin e Zi dhe ndalimin e sulmeve me rreze të gjatë në infrastrukturën energjetike.

SHBA tha të martën se kishte arritur një marrëveshje tentative me Ukrainën dhe Rusinë për të ndaluar luftimet dhe për të siguruar lundrim të sigurt në Detin e Zi në bisedime të veçanta me të dy palët, raporton AP.

Por, Rusia e kushtëzoi pjesën e saj në hapjen e anijeve në Detin e Zi me heqjen e sanksioneve të SHBA-së, të cilën Kievi e kundërshtoi.

Megjithëse Ukraina e mohoi një marrëveshje të tillë, SHBA-të më vonë thanë se do të ndihmonin në rivendosjen e aksesit të Rusisë në tregun botëror për eksportet bujqësore dhe të plehrave.

Megjithatë, të dy palët i kanë pritur mirë rezultatet e bisedimeve dhe presidenti ukrainasa e përshkroi si një fillim të mirë.

Edhe në çështjen e energjisë infrastrukturore, palët nuk ishin njëzëri duke rënë në kundërshtime mbi datën e hyrjes së armëpushimit.

Moska tha se armëpushimi kishte filluar më 18 mars dhe akuzoi Kievin për shkelje të kushteve duke goditur objektet energjetike brenda Rusisë, një akuzë që Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës e mohoi të mërkurën.

Kremlini më vonë postoi një listë të llojeve të objekteve të mbuluara nga armëpushimi i kufizuar.

Ai përfshinte rafineritë, tubacionet e naftës dhe gazit, objektet e magazinimit të naftës, duke përfshirë stacionet e pompimit, infrastrukturën e prodhimit dhe transmetimit të energjisë, si dhe termocentralet, nënstacionet, transformatorët, pajisjet e shpërndarjes, termocentralet bërthamore dhe digat e hidrocentraleve.