Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Çfarë duhet të kemi parasysh kur shohim se ka erëra të forta? Flet njohësi i çështjeve të emergjencave

 
   

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të enjten në Prishtinë, ku një pjesë e kulmit të ndërtesës së komunës ka rënë, dhe si pasojë një vajzë 23-vjeçare ka marrë lëndime të rënda.

Tahir Ahmeti, njohës i çështjeve të emergjencave, ka bërë thirrje për një përgatitje nga autoritetet kompetente, duke theksuar se Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës duhet të njoftojë në kohë institucionet qendrore dhe lokale kur ka shenja të mundshme të erërave të forta apo vërshimeve.

Po ashtu, ai në emisionin Rreth e Rrotull ka thënë qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm nga lëvizjet përreth objekteve të mëdha dhe në rastet ekstreme, të mos dalin fare në rrugë.

Sa i përket ndërtesave, Ahmeti ka theksuar se drejtoritë për emergjenca në çdo komunë duhet të bëjnë vlerësimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore.

“Duhet theksuar se Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, është agjencioni i vetëm zyrtar që i jep parashikimin apo ato ndryshimet hidrometeorologjike, të cilat mund të ndodhin në Kosovë pra qoftë kur kemi erëra apo kemi mundësi të vërshimeve atëherë instituti i lajmëron institucionet qendrore dhe lokale në mënyrë që të jenë të përgatitur dhe t’i informojnë qytetarët për kujdes. Në këtë rast këto institucione duhet që të dalin me njoftime nëse ka erëra të forta, që të kenë kujdes qytetarët nga lëvizjet përreth atyre objekteve të mëdha apo edhe në rastet ekstreme të mos dalim fare në rrugë”, ka deklaruar Ahmeti.

Ata duhet të informojnë publikun për zonat me rrezik nga era, vërshimet dhe tërmetet, duke rekomanduar qytetarëve të mos bëjnë lëvizje nga objektet e larta dhe të mbajnë distancë nga shtyllat elektrike.

“Vlerësimin e rrezikut duhet ta bëjnë drejtoritë për emergjenca në çdo komunë, pra bëhet vlerësimi i rrezikut nga këto fatkeqësi natyrore se ku mund të ketë rrezik qoftë nga era apo vërshime dhe tërmet. Që të dilet me njoftim se ku duhet të kemi kujdes, pasi fatkeqësitë natyrore nuk mund t’i parandalojnë , por duhet të njoftohen qytetarët që të kenë kujdes dhe të mos bëjnë lëvizje nga objektet e larta, nga objektet që janë duke u ndërruar po ashtu afër shtyllave elektrike”, ka deklaruar ai.

Në lidhje me rënien e kulmit në Prishtinë, Ahmeti nuk ka mundur të japë shpjegime konkrete, duke theksuar se hetimet për këtë ngjarje duhet t’i kryejnë institucionet përkatëse, përfshirë Prokurorinë dhe Policinë.

“Nuk mund të them se pse është rrëzuar kulmi në Prishtinë, sepse duhet ditur edhe sa ka qenë era e fortë, dhe këto janë zhvillime që hetimet duhet t’i bëjnë institucionet përkatëse qoftë Prokuroria apo Policia”, ka deklaruar Ahmeti.