Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Çfarë mesazhe la Kasanof gjatë vizitës së tij të parë në Kosovë, flasin analistët

 
   

Në vizitën dy ditore që e pati në Kosovë i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Aleksander Kasanof i la edhe disa porosi për udhëheqësit e institucioneve. Veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës, tha se i i komplikojnë kapacitetet e SHBA-së për të mbështetur Kosovën. Në aspektin analitik në Kosovë, po thuhet që çdo deklaratë qe vjen nga SHBA, duhet të merret seriozisht.

Në turneun e parë të tij në rajon, la mesazhe edhe në Kosovë.

Bëhet fjalë për Aleksander Kasanof, të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor i cili qëndroi në Kosovë për dy ditë, pas vizitës që pati në Serbi dhe Bosnjë dhe Hercogovinë.

Pos takimeve me prijës të shtetit, opozitën dhe shoqërinë civile në veri, ai pati një takim edhe me gazetarë. Ndër të tjera, gjatë diskutimit me ta tha se veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i komplikojnë kapacitetet e SHBA-së për të mbështetur Kosovën.

Sipas tij, SHBA-ja pret që Kosova dhe Serbia t’i përmbushin të gjitha obligimet që kanë marrë përsipër në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Sipas profesorit universitar, Milazim Krasniqi, çdo deklaratë që vjen nga SHBA-ja duhet të merret seriozisht, pavarësisht se kush e thotë atë.

Ajo ishte një deklaratë, në fakt vazhdimësi e asaj që ka lënë edhe Escobar, edhe kërkesa për ta çu draftin e statutit në Gjykatën Kushtetuese është në kontinuitet. Besoj që edhe qytetarët duhet ta kuptojnë që serioziteti i SHBA-ve mbështetet në kontinuitet të politikës, pra ajo nuk ndryshon, ndryshojnë individët, por konstanta e politikës mbetët e njëjtë”, ka thënë Milazim Krasniqi – profesor universitar.

Ndërsa, ka edhe të tillë që deklaratat e përfaqësuesve të SHBA-së u duken të çuditshme.

E shoh si një deklaratë të çuditshme sepse veprimet që po i merr Qeveria e Kosovës janë veprime legjitime dhe legale me qëllimin më të mirë të mundshëm për vendin e ekonominë tonë. Andaj, nuk shoh që veprimet e caktuara mund të shkaktojnë irritim tek ndërkombëtaret si dhe tek SHBA-ja”, ka thënë Ibrahim Deliu – analist.

Ndër të tjera, Kasanof tha se është i kënaqur me rifillimin e qarkullimit të mallrave nga Serbia në Kosovë dhe se shteti ynë ka arritur marrë vendin e saj në CEFTA dhe në Procesin e Berlinit.