Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Çfarë përmbajnë memorandumet që Blinken firmosi sot në Tiranë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe Sekretari i Shtetit e SHBA, Antony Blinken firmosën sot në Tiranë Memorandumin e Mirëkuptimit Kundër Manipulimit të Informacionit të Shtetit të Huaj (dezinformimit) si dhe Memorandumin e Mirëkuptimit për Programin e Shkëmbimit Akademik Fulbright.

Memorandumi i parë ofron një kornizë bashkëpunimi për të monitoruar dhe kontrolluar informacionin e shtetit te huaj për të luftuar manipulimin e tij nga aktorët e huaj në mënyrë që të mbrohen vlerat e përbashkëta te demokracisë në nivel ndërkombëtar.

Përmes këtij MOU Shqipëria dhe SHBA shprehin vullnetin që të punojnë së bashku edhe me kombet njëmendëse, për të luftuar informacionin e manipuluar. Ky bashkëpunim do të përfshijë hartimin e politikave kombëtare, rritjen e ndërgjegjësimit dhe sensibilizimit për kërcënime të tilla, mbështetjen për shoqërinë civile dhe angazhimin shumëpalësh.

Memorandumi i Mirëkuptimit/ Programi i Shkëmbimit Akademik Fulbright synon që çdo vit të propozohen studentë, staf akademik dhe profesionistë nga institucionet e arsimit të lartë dhe institucionet e tjera të Republikës së Shqipërisë për të studiuar në universitetet e SHBA-së dhe të koordinohet nga përfaqësuesi amerikan, pjesëmarrja e studentëve, stafit akademik dhe profesionistëve të Shteteve të Bashkuara në studim, kërkimet ose trajnime akademike në institucionet akademike apo institucionet e tjera të Republikës së Shqipërisë.

Me anë të këtij memorandumi mirëkuptimi, Qeveria e Republikës së Shqipërisë (Këshilli i Ministrave), nëpërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit do të mbështesë nga ana financiare programin e shkëmbimit akademik “Fulbright Student” për të krijuar mundësi të tjera shtesë për studentët, në mënyrë që të bëhen pjesë e këtij programi.