Pas alarmit, është evakuuar stafi mjekësor, teksa policia ka rrethuar godinën
Një alarm për lëndë shpërthyese është dhënë mesditën e sotme në Qendrën klinike universitare të Kosovës.
Mësohet se policia ka evakuuar stafin mjekësor, pasi dyshohet se ka mjete shpërthyese brenda godinës së institucionit shëndetësor. Në vendngjarje ndodhen forcat e specializuara të policisë për menaxhimin e mjeteve shpërthyese pas informacioneve të siguruara. Ende nuk dihet për çfarë lënde shpërthyese bëhet fjalë.
“Rreth orës 14:00 është pranuar informata për një mjet të dyshimtë, që dyshohet të jetë mjet shpërthyes, në klinikën e patologjisë, respektivisht institutin para klinik. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për tu siguruar nga rreziku i shpërthimit eventual, duke evakuuar personelin përreth dhe siguruar perimetrin e nevojshëm.
Në vendngjarje po ashtu janë ftuar edhe ekipet e specializuara të Policisë së Kosovës për menaxhimin e mjeteve shpërthyese, të cilët aktualisht po vazhdojnë punën deri në pastrimin e plotë të perimetrit të siguruar nga ana e policisë”, njofton policia e Kosovës.