Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi, ka konfirmuar se është ftuar edhe një herë për intervistim nga Dhomat e Specializuara të Hagës.
Ai ka thënë se dy ditë më parë ka pranuar ftesën për t’u intervistuar sot, mirëpo dje pasdite, atij i është konfirmuar nga ZPS-ja se intervistimi i tij është anuluar, përcjell Bota sot.
Mustafa ka thënë se kurdo që është nevoja, ai është i gatshëm për të dhënë kontributin e tij në favor të drejtësisë.
Lexojeni reagimin e tij të plotë, në Facebook:
Të dashur miq!
Në mbrëmjen e dt. 1.11. 2023, nga zyrtarët e dhomave të veçanta të Prokurorisë Speciale të Kosovës, kam pranuar një ftesë për t’u intervistuar sot, me 3.11.2023, në ora 09:00.
Në ndërkohë, po nga të njëjtit zyrtarë, dje pasdite, fillimisht përmes një thirrjeje telefonike dhe pastaj një sms-je dhe email-i, m’u konfirmua se intervistimi im nga ZPS-ja është anuluar.
Të dashur e të nderuar miq,
Në lidhje me këtë çështje dua ta konfirmoj edhe një herë përcaktimin e përkushtimin tim.
Si në të kaluarën ashtu edhe sot, por edhe nesër e kurdo që është nevoja, jam i gatshëm për të dhënë kontributin tim në favor të drejtësisë.
Lufta e UÇK-së ka qenë luftë mbrojtëse dhe çlirimtare, ashtu siç thonë edhe miqtë ndërkombëtarë.
Luftë më të drejtë dhe më të pastër (për aq sa, pastërtinë e tillë e mundosojnë rrethanat e luftës) nuk njeh historia e njerëzimit.
Jam me fat që kam qenë njëri nga protagonistët e kësaj lufte, dhe të vërtetën e saj jam i gatshëm ta mbroj në çfarëdo cilësie.
Falë luftës së UÇK-së, jo vetëm Kosovës por edhe rajonit, i është hapur rruga e integrimit në familjen evropiane, aty ku e kemi vendin ne si komb dhe si shoqëri.
Me nderime!
Rrustem Mustafa