Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Çfarë po paralajmëron zyrtari i lartë i NATO-s me deklaratën e fundit?/ Zbardhen prapaskenat – ja planet serbo–ruse për Ballkanin!

 
   

Thirrjet për një vëmendje të veçantë u shtuan edhe me fillimin e luftës në Gaza.

Një situatë e tensionuar në botë po vazhdon të jetë prezente, përveç luftës në Ukrainë tashmë ajo në Gaza ka kthyer edhe më shumë seriozitetin që bota mund të përballet me tensione dhe situata të papritura.

E për këtë situatë kryetari i komitetit ushtarak të NATO-s, Rob Bauer, të mërkurën i bëri thirrje sektorëve publikë dhe privatë në Perëndim që të përgatiten për një periudhë në të cilën çdo gjë mund të ndodhë në çdo kohë, përfshirë luftën.

“Ne kemi nevojë për një transformim të NATO-s gjatë kohës së luftës”, tha admirali holandez në hapjen e takimit dy-ditor të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel.

Ai theksoi se qeveritë dhe kompanitë nga ajo aleancë jetonin në një epokë ku gjithçka ishte e bollshme, gjithçka ishte e parashikueshme dhe mund të kontrollohej.

“Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, anëtarëve të NATO-s u është dashur të përshtaten me “një epokë në të cilën çdo gjë mund të ndodhë në çdo kohë, një epokë në të cilën ne duhet të presim të papriturën, në të cilën duhet të përqendrohemi në efikasitet në mënyrë që të jemi me të vërtetë efektive”, tha Bauer.

E të gjendur në këtë situatë sa mund të jetë e rrezikuar edhe Kosova nga një sulm nga Serbia, bazuar në këtë deklaratë dhe në raportet aktuale me Serbinë?

A u blenë raketat Javelin për këtë arsye?

Shala: Rusia nuk ka për qëllim që të shkaktojë ndonjë gjë të madhe në Ballkan, por kërkon destabilizim

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Ai thotë që vlerësimi nga SHBA që Kosova duhet të pajiset me sistem armësh do të thotë ka qenë si rezultat i kërcënimeve të Serbisë.

 Image
 Drizan Shala 
 

“Vlerësimi i Shteteve të Bashkuara se Kosova duhet të pajiset me sistem armësh të avancuara është si rezultat i kërcënimeve që Serbia i ka tani publike por edhe ky hap nga SHBA është e bazuar edhe në informacione që kanë arrit t’i marrin nga strukturat e tyre”, u shpreh ai.

Më tej, eksperti i sigurisë shtoi që Javelin është një armë që përdoret vetëm nga një ushtar i vetëm dhe se po i dërgojmë kështu mesazh çdo armiku potencial.

“Kjo është armë që përdoret nga një ushtar i vetëm, që do të thotë se ne nuk po u japim pajisje të shkallës së lartë të manovrimit ushtarak, por po u ofrojmë atë që ju duhet. Dhe po i dërgojmë mesazh çdo armiku potencial, se Kosova ka pajisjet që i duhen për të frenuar një sulm të mundshëm”, thotë Shala.

Ndër të tjera, ai potencoi që Rusia synon vetëm të destabilizoj Ballkanin dhe të krijoj kaos në Ballkan.

“Rusia nuk ka për qëllim që të shkaktojë ndonjë gjë të madhe në Ballkan, por kërkon destabilizim dhe kaos në mënyrë që ta largojë vëmendjen e NATO-s nga lufta në Ukrainë dhe në këtë aspekt ata janë ndihmuar edhe nga parteri i tyre tradicional Serbia”, tha Shala për “Bota sot”.

Kelmendi: Serbia synon ripushtimin e Kosovës dhe të Malit të Zi, sikundër edhe bashkimin e Republikës serbe me Serbinë

 Image
 Muhamet Kelmendi 
 

Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që thirrja e Bauer është për rrezikun e një lufte në Ballkan e më gjerë.

Gjithashtu, profesori thotë që këtë rrezik po e ndjejnë të gjithë ndërkombëtarët, duke përfshirë këtu edhe NATO.

“Planet e shtetit serb në Ballkan tash më veç janë të qarta. Serbia synon bashkimin e botës serbe në një shtet. Për këtë po armatosen. Thirrja nga z. Bauer për rrezikun e një lufte me Ballkan e më gjerë, në Evropë, në Azi dhe në Lindje të Afërt është e qëndrueshme dhe shumë afër. Në kuadër të gjendjes që po kalohet, NATO ka shtuar kujdesin dhe po përgatitet ushtarakisht. Po organizon edhe ushtrime të mëdha ushtarake. Mbi 90 mijë ushtarë të NATO-s, do të marrin pjesë në ushtrime. Nuk ka shtet që nuk e ka rritur për 20 e deri në 30 % buxhetin”, shpjegon profesori.

Në fund, ai përmend armatosjen e Serbisë duke thënë që armët e blera nga Serbia po bëhen për ta ripushtuar Kosovën

“Pra, shihet një armatosje e madhe. Prijnë Serbia dhe Kroacia. Serbia nuk është në rrezik nga asnjë shtet në Ballkan. Në anën tjetër, është Greqia që ndanë 3,5 – 4,5 % të brutoproduktit të vendit për ushtri. Një vend i militarizuar deri në dhëmbë. Armët e blera nga Serbia dhe prodhimet e vendit bëhet për të ripushtuar Kosovën. Këtë e ka të përcaktuar në Kushtetutë. Veç kësaj, synon edhe bashkimin e Republikës Serbe dhe ripushtimin e Malit të Zi. Këto fakte njihen tash në UE e në SHBA. I dijnë edhe NATO dhe Britania e Madhe. Njihen kudo. Priten veprime konkrete. Besohet se Serbia në rastin e parë të përshtatshëm do ta sulmojë Kosovën. Presin rizgjedhjen e Trump si President në SHBA dhe do të shkojnë në agresion ushtarak kundër Kosovës. Kjo është logjika politike dhe pikësynimi i Serbisë në Ballkan”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”.