Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Çfarë po sinjalizon Serbia? Gjuriq: Na është bërë padrejtësi historike me Kosovën

 
   

Qeveria e Serbisë vijon që të sinjalizojë veprime të mundshme kundër Kosovës. Ministri i jashtëm, Marko Gjuriç, pretendon se vendit të tij i është bërë padrejtësi historike me shpalljen e pavarësisë.

Gjatë një eventi në Beograd, ai vazhdon akuzat e pabaza se serbët e Kosovës përballen ndaj ngacmimeve sistematike dhe shkeljeve të së drejtave njerëzore, politike dhe ekonomike.

“Në rastin e Serbisë është shkelur e drejta ndërkombëtare. Shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës paraqet shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare. Me këtë, Serbisë i është bërë një padrejtësi e madhe historike”, tha Marko Gjuriç, ministër i Jashtëm i Serbisë.

Gjuriç vlerëson se procesi i pajtimit në Ballkan është tepër I brishtë. Kurse, ministri i mbrojtjes, Bratislav Gashiç, në një editorial të tij, thotë se qeveria serbe mendon t’i zgjidhë mosmarrëveshjet me Kosovën me mjete politike. Por atë e nxjerrin zbuluar vetë fjalët e tij kur përmend pa baza akuzat se qeveria Kurti po rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë.

“Ushtria jonë duhet të jetë e fortë, e aftë dhe e gatshme për të penguar çdo përpjekje për të kërcënuar lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Serbisë. Theksoj – fuqia jonë ushtarake nuk është kërcënim për askënd, por vetëm një instrument për të penguar çdo synim agresiv ndaj Serbisë dhe popullit serb”, tha Bratislav Gashiç, ministër i Mbrojtjes i Serbisë.

Në të njëjtën linjë me akuzat e dy ministrave ndaj Kosovës për keqtrajtimin e supozuar të serbëve, ishte edhe Petar Petkoviç, drejtor i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe.