Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Cilat janë lidhjet mes kamionëve në barrikadën në Banjskë dhe Millan Radoiçiqit?

Në mesin e gjurmëve që kanë mbetur pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, në veri të Kosovës, në hyrje të fshatit gjendet edhe një kamion i dëmtuar me logon e një kompanie nga Serbia.

REL thotë se nuk ka mundur të konfirmojë në mënyrë të pavarur nëse kompania “VS Energy”, emri i së cilës është shkruar në derën e kamionit, është pronar i automjetit, por se ka vërtetuar lidhjet afariste të kompanisë me Millan Radoiçiqin, nënkryetarin e Listës Serbe – parti udhëheqëse e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Radoiçiq akuzohet nga autoritetet kosovare për organizim dhe pjesëmarrje në sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator, në Banjskë, ndërsa Prishtina zyrtare e ka lidhur edhe më herët me veprimtari kriminale.

Image
Kamion

Kompania “VS Energy” është partner biznesi me kompaninë rrugore “Novi Pazar-put”, pronarë të së cilës janë Radoiçiq, biznesmeni nga veriu i Kosovës, Zvonko Vesellinoviq dhe vëllai i tij Zharko Vesellinoviq.

Sipas Policisë së Kosovës, kamioni me mbishkrimin “VS Energy” është një nga veturat që i ka shërbyer grupit terrorist për të bllokuar rrugën për në fshat, natën ndërmjet së shtunës dhe të dielës, më 24 shtator.

Image
Kamion

Siç është njoftuar, pasi zyrtarët policorë kanë tentuar të heqin barrikadën, ata janë sulmuar.

Rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku është vrarë dhe disa të tjerë u plagosën.

Më vonë, tre sulmues serbë u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit në Banjskë.

Çfarë janë lidhjet mes kamionit në barrikadë dhe kompanisë në Serbi?

Në kamionin ngjyrë portokalli, i destinuar për punë ndërtimtarie, i markës Volvo, përveç gomave të shpuara dhe xhamave të thyer, vëmendjen e tërheqin edhe shkronjat e errëta latine në derë – emri dhe logoja e kompanisë “VS Energy”.

Logoja e kompanisë “VS Energy”, është parë në fotot dhe videot e marra, pasi që mediat u lejuan të hynin në Banjskë më 27 shtator, pas një bllokade treditore policore.

Në derë është e shkruar adresa e selisë së kompanisë në Beograd dhe numri i telefonit me kodin e Serbisë.

Kompania “VS Energy” nuk iu përgjigj pyetjeve nëse kamioni është ende në posedim të tyre dhe çfarë lidhje ka kompania me barrikadën në Banjskë.

Një përfaqësues i “VS Energy”, i cili u përgjigj në numrin zyrtar të telefonit të kompanisë, tha se nuk kishte informacion të mjaftueshëm dhe se dikush me më shumë informacion do t’i përgjigjej redaksisë. Deri në publikimin e këtij artikulli, kjo kompani nuk dërgoi përgjigje lidhur me pyetjet se nga erdhi në Banjskë kamioni me shenja të kompanisë, ndërkaq, askush nga kompania nuk u përgjigj më në thirrjet telefonike. Ata nuk iu përgjigjen as pyetjeve të dërguara.

Lidhur me pyetjet se a kanë informacion se në pronësi të kujt janë kamionët e përdorur në bllokada dhe se a dihet se si kanë arritur në Kosovë, nuk u përgjigj as Policia e Kosovës, deri në publikimin e këtij artikulli.

Zvonko Vesellinoviq nuk ishte i qasshëm për të dhënë komentin e tij.

REL-i raporton se nuk ka mundur të kontaktojë as me Millan Radoiçiqin, sepse, gjykuar nga mesazhi automatik i operatorit celular, ai ka bllokuar telefonata dhe se nuk arriti të përcaktojë në mënyrë të pavarur nëse kamioni i fotografuar në hyrje të Banjskës ishte në pronësi të kompanisë “VS Energy”, në momentin e sulmit ndaj Policisë së Kosovës.

Në fotografitë e automjetit, targat nuk janë të dukshme.

Siç tregoi analiza, të dhënat e shkruara në derën e kamionit në Banjskë, përputhen me të dhënat nga faqja e internetit të kompanisë së regjistruar në regjistrin komercial të Serbisë, me emrin “VS Energy 2015 DOO”.

Fotografi e një kamioni tjetër të kompanisë që është publikuar në faqen e internetit të kësaj kompanie.

Cilat janë lidhjet e kompanisë me Millan Radoiçiqin dhe Zvonko Vesellinoviçin?

“VS Energy” është partner biznesi me kompaninë rrugore “Novi Pazar-put”, e cila është në pronësi të vëllezërve Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq, si dhe Millan Radoiçiq.

Në janar të vitit 2023, ata fituan tenderin për mirëmbajtjen e rrugëve në komunën e Vërnjaçka Banjës, tregojnë të dhënat nga portali i prokurimit publik.

Në konkursin për atë punë, të dy kompanitë bënë një ofertë së bashku.

Se dy kompanitë bashkëpunojnë, shihet edhe nga raporti financiar i kompanisë “VS Energy” për vitin e kaluar.

Të hyrat e përgjithshme nga shitja e produkteve dhe shërbimeve të kompanisë “VS Energy” për vitin e kaluar ishin pak më shumë se 880 milionë dinarë ose 7.5 milionë euro.

Siç thuhet në shënimet e pasqyrave financiare, gati 2 milionë euro janë të hyra nga “nënkontraktimi i shërbimeve për kompanitë ‘Energotehnika’ dhe ‘Novi Pazar-put’ për ndërtimin e linjave të transmetimit”.

Nuk saktësohet se sa është transaksioni me kompaninë “Novi Pazar-put”, e cila nga janari i vitit 2020 është në pronësi të vëllezërve Vesellinoviq dhe të Millan Radoiçiqit.

Si kompania ashtu edhe pronarët kanë qenë nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) që nga dhjetori i vitit 2021, për shkak të dyshimeve për krim të organizuar dhe korrupsion.

Në atë kohë, Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione edhe ndaj dhjetë qytetarëve të tjerë dhe më shumë se 20 kompanive të lidhura me Radoiçiqin dhe vëllezërit Vesellinoviq.

Por, Serbia, e cila nuk ka asnjë obligim ndërkombëtar për t’iu bashkuar këtyre sanksioneve, nuk i kushton vëmendje masave të SHBA-së.

Hulumtimi i REL-it tregoi se kompania “Novi Pazar-put” i ka rritur shumëfish të ardhurat, që kur Vesellinoviq dhe Radoiçiq e kanë marrë atë dhe kanë lidhur marrëveshje milionëshe me shtetin – ndër të tjera edhe disa kontrata për mirëmbajtjen dhe ndërtimin të rrugëve lokale.

Në njërën nga ato kontrata, kompania “VS Energy” mburrej për bashkëpunimin e saj me kompaninë “Novi Pazar-put”.

Në dhjetor të vitit 2020 dhe shkurt të vitit 2021, siç tregoi hulumtimi i REL-it, “VS Energy” publikoi foto të makinerive në kantierin e ndërtimit, në profilin e kësaj kompanie në Instagram, me përshkrimin “duke kryer punime në rrugët hyrëse në lokacionin Voqareva Livada” në Kralevë.

Ndërtimi i rrugëve në vendbanimin Voqareva Livada, ku po ndërtohen banesa për pjesëtarët e forcave të sigurisë, është një punë në vlerë prej 2.6 milionë euro që “Novi Pazar-put” e ka kontraktuar me qytetin e Kralevës.

Kush është pronar i “VS Energy”?

“VS Energy” është kompani ndërtimi me seli në Novi Beograd. Veprimtaria kryesore e kompanisë është “ndërtimi i objekteve banesore dhe jo-banesore”.

Që nga viti 2020, pronare dhe drejtoreshë e kompanisë është Vladisllava Pandërc.

Ndërkaq, në mesin e ish-përfaqësuesve të kompanisë figuron emri i Millosh Pandërc, i cili u dënua për kontrabandë droge, në procesin kundër klanit Darko Shariq.

Millosh Pandërc ishte në mesin e përfaqësuesve të kompanisë nga viti 2015 deri në janar 2018.

Siç raportuan mediat në vitin 2012, Pandërc ishte ndër gjashtë personat që e pranuan fajësinë, pas bashkëpunimit me Prokurorinë e Krimit të Organizuar dhe në këmbim të dënimeve më të lehta burgimi. Ata pranuan se kontrabanduan më shumë se dy tonë kokainë nga Amerika Latine në Evropën Perëndimore, në tetor të vitit 2009.

Pandërc më pas u dënua me dhjetë vjet e gjysmë burgim.

Asokohe, mediat raportuan edhe deklaratën e prokurorit, në të cilën ai konfirmoi se Pandërc pranoi se ishte anëtar i të ashtuquajturit Grupi i Shariqit, për të cilin ai kontrabandonte kokainë në territorin e Brazilit në vitin 2008 dhe në Uruguai në tetor të vitit 2009. Kokaina u kap në operacioni “Luftëtari ballkanik”.

“VS Energy”, sipas të dhënave të regjistrit komercial të Serbisë, ka tri degë – dy në afërsi të Vërnjaçka Banjës, ku ka qenë selia e parë e kompanisë në kohën e themelimit, dhe një në Kralevë.

Në Vërnjaçka Banjë, ndër të tjera, merren me eksploatimin e zhavorrit dhe me punime të tjera ndërtimore, kurse në Kralevë ka një fabrikë betoni.

Siç thuhet në faqen e tyre të internetit, kompania ka automjete të ndryshme për aktivitete ndërtimore – ekskavatorë, kamionë tërheqës, automjete për transport betoni, cisterna dhe automjete terreni.

Barrikadat e mëhershme dhe automjetet komunale

Në mesin e makinerive të rënda, me të cilat përfaqësuesit e serbëve në veri të Kosovës krijuan barrikada në fund të korrikut të vitit 2022 dhe bllokuan pothuajse të gjitha rrugët që të çojnë në vendkalimin Jarinjë dhe Bërnjak, kishte edhe automjete pothuajse identike me ato të përdorura nga shërbimet komunale serbe në komunat në veri të Kosovës.

Këto shërbime, siç është Ndërmarrja Publike (JKP) “Standard” nga Mitrovica e Veriut, kontrollohen nga Lista Serbe, partia udhëheqëse e serbëve në Kosovë, e cila është e afërt me Partinë Progresive Serbe (SNS) të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Në datat 31 korrik dhe 1 gusht, kamerat e REL-it kanë regjistruar edhe praninë e punonjësve të kompanisë “Standard”, të cilët, me uniformë ishin në barrikada.

Përfaqësuesit e Listës Serbe asokohe nuk ishin të qasshëm për t’u përgjigjur se çfarë po bënin punëtorët dhe kamionët e kompanisë “Standard” në barrikada.

Shumë nga kamionët në barrikada ishin të pashënuara, disa edhe pa targa, dhe drejtuesit e kamionëve kryesisht mbanin maska në fytyrë.

Barrikadat në veri të Kosovës janë ngritur disa herë në dy vjetët e fundit, kur pati krizë në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, për shkak të disa çështjeve – si njohja e dokumenteve personale dhe targave.

Ato u larguan pas aksionit diplomatik të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, nën kujdesin e të cilit po zhvillohen negociatat.

Barrikada u ngritën edhe në vitin 2011, si pengesë që Kosova të mos vendoste pushtetin në veri.

Image
Kamion

Në vitin 2011, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, e identifikoi Zvonko Vesellinoviqin si personin që organizoi ngritjen e barrikadave dhe shkaktimin e trazirave në atë pjesë të Kosovës.