
Emisioni Kiks Kosova ka raportuar të mërkurën për një çift nga Ferizaj, të arrestuar nën dyshimin se janë marrë me veprën penale të prostitucionit.
Kiksi gjeti shtëpinë e të dyshuarit tjetër për shfrytëzim dhe trafikim të vajzave të mitura për prostitucion.
Mirëpo, aty nuk gjendej askush.
Ndryshe prej të dyshuarës në Mirash të Ferizajt, ku 20 vjeçarja gjendej në shtëpi si shkak i arrestit, i pandehuri E. S nga Topliqani i Lipjanit ka një javë që gjendet në qendër të paraburgimit.
Sidoqoftë, Kiksi qëndroi aty me qëllim që të takojë dikë nga familja e tij dhe të kuptojë më shumë lidhur me rastin.
Familjari i të dyshuarit, ndër të tjerash tha se E.S. është djali i mirë dhe i dashur e asnjëherë nuk është marrë me punë të këqija.
Ndërkaq, në raportin e Prokurorisë thuhet se të dyshuarit kanë bashkëpunuar me pronarin faktik të vilave, aty ku dyshohet se të miturat kanë kryer shërbime me pagesë me persona të ndryshëm.
Ndonëse aty nuk përmendet emri i ndonjë moteli, Kiksi kontaktoi në numrin e pronarit të “Villa Berry” në Ferizaj, ku dyshohet se ishte vendi kryesor ku dërgoheshin vajzat.
Nga ana tjetër, Kiks Kosova kërkoi nga Prokuroria Themelore e Ferizajt të dijë nëse janë duke u hetuar edhe pronarët e vilave me të cilët çifti dyshohet të ketë bashkëpunuar, si dhe nëse janë duke u hetuar edhe personat me të cilët të miturat kanë kryer shërbime seksuale në këmbim të parave.
Megjithatë, nga ky institucion thanë se janë në fazën fillestare të hetimeve dhe nuk mund të ndajnë detaje të tilla.