Shumica e çokollatave kanë kafeinë, por sasia ndryshon në bazë të përqindjes së kakaos
Pavarësisht nëse jeni striktë në mënyrën e të ushqyerit apo ndiqni një regjim të caktuar çdo ditë të jetës suaj, le ta pranojmë që çokollata është një nga kënaqësitë më të mëdha të jetës. Sidomos kur konsumohet në darkë, pas një dite të lodhshme mes punës dhe angazhimeve në familje.
Megjithatë, duke e ditur që çokollata ka kafeinë, a ndikon kjo në cilësinë e gjumit tuaj?
Nuk janë vetëm kafeja, çaji i zi apo pijet energjike që mund t’ju mbajnë zgjuar për shumë gjatë pasi keni vendosur kokën në jastëk. Ekzistojnë gjithashtu edhe ushqimet me kafeinë, mes tyre edhe çokollata.
“Shumica e çokollatave kanë kafeinë, por sasia ndryshon në bazë të përqindjes së kakaos, mënyrës se si është përpunuar dhe faktorëve të tjerë,” thotë dietologia Maddie Pasquariello.
“Në çokollatën me qumësht, ka rreth 20 mg kafeinë për 100 gramë çokollatë,” thotë Pasquariello, shkruan Well+ Good.
“Në çokollatën e zezë, niveli mund të rritet më shumë”.
Cila çokollatë ka më shumë kafeinë?
Në përgjithësi, sa më e hidhur të jetë shija e çokollatës, aq më shumë kafeinë ka. “Çokollata e zezë ka të paktën trefishin e sasisë së kafeinës krahasuar me çokollatën me qumësht,” shton ajo.
Çokollata e bardhë, nga ana tjetër, nuk ka kafeinë, pasi për prodhimin e saj përdoret gjalpë kakaoje në vend të lëndëve të ngurta të kakaos, të cilat kanë kafeinë si dhe përbërës të tjerë të dobishëm duke përfshirë magnezin, hekurin dhe anti-oksidantët, citon Anabel.
Pra, më shumë kafeinë ka çokollata e zezë, më pas ajo me qumësht dhe në fund, çokollata e bardhë. /Telegrafi/