Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku e ka vlerësuar aventureske qasjen politike të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti gjatë muajve të fundit.
Kërkesat e Kurtit për sovranitet në veri, Çitaku i ka parë si të papjekura. Ajo ka thënë në këtë shekull ku jetojmë, nuk ka sovranitet të plotë askund në botë.
“Në botën ku jetojmë, në shekullin ku jetojmë jemi të ndërvarur, nuk ka sovranitet të plotë. A e dini cili është vendi sovran në botë? Koreja e Veriut. Edhe Gjermania koordinohet me Amerikën, edhe Amerika koordinohet me Francën, është normale”, ka thënë Çitaku.
“Qasja e muajve të fundit e Kurtit, është e pakujdesshme, është tërësisht aventureske”, ka shtuar ajo.
Sipas ish-ambasadores së Kosovës në Uashington, demonstrim sovraniteti do të ishte pjesëmarrja e Kosovës në stërvitjet e gjera të NATO-s Defender Europe 2023, nga të cilat Kosova është përjashtuar.
“Nuk reduktohet ideja e sovranitetit në tri zyra komunale. Demonstrimi i sovranitetit është pjesëmarrja e Kosovës në Defender Europe 2023”, ka thënë ajo.
“Në raport me Serbinë, ne duam që Kurti dhe Kosova të dalin fitimtarë. Por këto beteja nuk mund të fitohen pa aleatët. Aleatët kanë kërkuar një gjë minore, ata kanë thënë ju lusim që kryetarët e zgjedhur të ushtrojnë detyrat nga ato objekte ku kanë dhënë betimin”, ka shtuar Çitaku.