Kryeministri Albin Kurti sot në një panel në Forumin e Paqes në Paris, duke folur për idenë e shkëmbimit të territoreve me Serbinë, ka përmendur ish-presidentin Hashim Thaçi.
Ai tha se Thaçi ishte homolog i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për këtë ide dhe të dy i përshkroi si udhëheqës autoritarë.
“Ka pasë homolog edhe në Kosovë nga një prej paraardhësve të mi, sepse në atë kohë është parë si një rregullim i shpejtë, korrigjim i shpejtë midis liderëve autoritarë që flasin për popullin si familjet e tyre dhe shtetet si prona private”, tha Kurti në Paris.
Kësaj deklarate i ka reaguar nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila tha se Kurti ka kohë që merret me Thaçin dhe për faktin se ai gjendet në paraburgim dhe s’mund t’i përgjigjet, ajo e quajti të turpshme.
“Ka kohë që Kryeministri Kurti merret me Presidentin Thaçi, si në Kuvend të Kosovës ashtu edhe në vizita të tija jashtë vendit. Kjo është një turp që vetëm sa e shpërfaq vogëlsinë e kryeministrit aktual dhe cektësinë e rezultateve te qeverisjes së sotme. Presidenti Thaçi nuk ka mundësi t’ia kthejë sepse është në paraburgim duke mbrojtur UÇK-në”.
Çitaku e kritikoi Kurtin për zhvillimin brenda vendit dhe për sanksionet e vendosura nga aleatët jashtë.
“Po ashtu, rezultatet e qeverisjes Thaçi, autostradat, aeroporti, njohjet dhe vetë pavarësia jonë, shihen, preken, udhëtohen, përjetohen, gëzohen. Rezultati i vetëm i Kurtit është një ure këmbësorësh në një fshat dhe një mori sanksionesh nga aleatët tonë. I pabesë si me tanët ashtu edhe me të huajt”.