Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, i ka reaguar kryeministrit të vendit, Albin Kurti, i cili tha se pas një pune të gjatë, posaçërisht në dy vitet e fundit, qytetarët e Kosovës më në fund do të lëvizin pa viza.
Çitaku i tha Kurtit se kontributi i vetëm i tij në procesin e liberalizimit të vizave ka qenë gazi lotsjellës në kuvend dhe “kauzat e rreme rreth demarkacionit”.
“Ju dhe LVV nuk e keni votuar as pakon ligjore që i ka paraprirë këtij procesi. Njëjtë nuk e keni votuar as MSA-në”.
“Komisioni Evropian e ka dhënë rekomandimin për liberalizimin e vizave shumë vite para se ju të vini në pushtet”, tha Çitaku.
Më tej, ajo i bëri thirrje Kurtit që të mos i fyej qindra shërbyes civilë të cilët, sipas saj, kanë punuar me shumë zell e përkushtim për sa i përket çështjes së vizave.